Kolapsi me energjinë në Spanjë e Portugali, po kërkohen shkaqet e problemeve energjetike

29.04.2025 15:56

Furnizimi me energji elektrike në Spanjë dhe Portugali....

Furnizimi me energji elektrike në Spanjë dhe Portugali dhe disa pjesë të Francës po shkon drejt normalizimit, pasi dy vendet u përballën me mungesë të energjisë elektrike pas problemeve me rrjetin.

Ende nuk dihet shkaku i problemeve në rrjetin elektrik, por nuk përjashtohet mundësia që një çekuilibër në rrjetin energjetik spanjoll të ketë çuar në një dështim në lidhjen ndërsektorale midis rrjeteve të transmetimit të energjisë elektrike spanjolle dhe franceze.

“Sa i përket shkakut, ajo që na thonë teknikët e “Red Electric” është se 15 gigavat gjenerim u humbën papritur nga sistemi në vetëm pesë sekonda. Kjo është e barabartë me afërsisht 60 për qind të kërkesës së vendit. Kjo është diçka që nuk ka ndodhur kurrë më parë. Teknikët po përpiqen të përcaktojnë se çfarë e shkaktoi një rënie kaq të papritur.”, - deklaroi kryeministri i Spanjës, Pedro Sançez.

Dështimi i rrjetit të energjisë shkaktoi kaos total në të dy vendet.

Metrotë ishin të bllokuara, aeroplanët të bllokuar, semaforët jashtë dhe bankomatët jashtë shërbimit. Shumë turistë në Barcelonë u gjendën në panik, të hutuar dhe të frikësuar.

"Vendkalimi nuk po funksiononte, “Starbucks” ishte i mbyllur, u frikësuam.", - tha një turist.

"Ne vetëm shpresojmë që kjo të mos ndikojë në fluturimin tonë për në shtëpi.", - tha një turiste tjetër.

"Ishim pranë katedrales “Sagrada Familia”, e cila është plot me turistë. Natyrisht na duhej një sinjal telefoni që të mund të lëviznim. Gjithçka u paralizua.", - u shpreh një turist kilian, që vizitonte Barcelonën.

Banorët e Lisbonës janë në panik se të gjitha komunikimet në vend janë ndërprerë dhe dyshojnë për sulme kibernetike.

 "Ne po punonim dhe befas kompjuteri u fik. Menduam se kishte një ndërprerje të energjisë, siç ndodh ndonjëherë, por më pas dëgjuam se ishte një sulm kibernetik përmes lidhjes së dobët të internetit që kishim. Më vonë, edhe ai u prish.", - u shpreh banorja e Lisbonës, Filomena Pires.

"Unë po flisja me vajzën time, menjëherë pasi u ndërpre rryma dhe më pas lidhjet humbën. Nëse ky është një lloj problemi i sigurisë kibernetike, është pak e frikshme. Evropa do të duhet të rimendojë se çfarë do të bëjë, kishte paralajmërime dhe askush nuk u interesua. Tani duhet të mendojmë se si të mbrohemi.", - theksoi specialisti i IT-së, Antonio Godinjo.

Qendra Kombëtare e Sigurisë Kibernetike e Portugalisë tha se nuk kishte shenja të një sulmi të tillë, ndërsa Qeveria në Lisbonë pretendoi se ndërprerja erdhi nga problemet jashtë vendit. Disa pjesë të Francës mbetën vetëm për pak kohë pa energji elektrike. (Fitore Demolli, TVM2)