Universiteti i Tetovës prezanton ofertën studimore për vitin 2025/26

29.04.2025 16:25

Universiteti i Tetovës i hapi dyert për studentët e rinj...

Universiteti i Tetovës i hapi dyert për studentët e rinj, duke prezantuar ofertën studimore për vitin akademik 2025/26. Ditët e hapura në Universitetin e Tetovës kanë për qëllim të njoftojnë drejtpërsëdrejti maturantët e vendit dhe të rajonit për studimet dhe kushtet që ofron Universiteti i Tetovës.

Rektori, Jusuf Zejneli, tha se UT-ja gjithmonë ofron programe kreative për studentët.

“Jemi në ditën e hapur për të ofruar mundësinë, ofertën tonë akademike për të gjithë të rinjtë, maturantët tanë le të orientohen tek ofertat e Universitetit të Tetovës, për të përzgjedhur një ndër projektet e UT-së. Sigurisht për ne është çdo ditë e hapur. Gjithmonë jemi kreativ me programet e reja, kemi mundësitë të forcojmë pjesën praktike me studentët tanë.”, - tha rektori i UT-së, Jusuf Zejneli.

Të pranishëm ishin edhe shumë kompani vendore dhe përfaqësues nga Oda Ekonomike Veriperëndimore, të cilët thanë se për momentin vendi ka mungesë të madhe të fuqisë punëtore, dhe sipas tyre presin që të dalin kuadër profesionistësh nga universitetet tona.

“Sigurisht se Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore në universitet dhe sistemi arsimor janë një simbiozë për momentin tani në RMV. Ka një mungesë të fuqisë punëtore dhe pikërisht nga ky institucion i dijes presim të dalin kuadër, që ka nevojë biznesi në përgjithësi. Ne i japim kërkesat tona, që universiteti të ofrojë kuadro të përshtatshme për ekonominë, e cila për arsye migrimi ka mungesë të madhe në tregun e punës.”, - deklaroi Mendi Qyra nga Oda Ekonomike Veriperëndimore.

Krahasuar me pesë vite më parë, numri i studentëve të regjistruar në vitin e parë në të gjitha universitetet publike e private është përgjysmuar. (Visar Sadiki, TVM2)