Maqedoni

Mexhiti: Qeveria, 14 milionë euro për kanalizimin e Kërçovës

29.04.2025 17:44

Me propozim të Ministrisë së Mjedisit Jetësor, Qeveria miratoi informatën...

Me propozim të Ministrisë së Mjedisit Jetësor, Qeveria miratoi informatën për realizimin e projektit për përmirësimin dhe menaxhimin me ujërat e zeza në Kërçovë. Këtë e bëri të ditur ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti, duke shtuar se për realizimin e këtij projekti që do të realizohet në katër vitet e ardhshme, janë paraparë 14 milionë euro mjete buxhetore.
 
Projekti do të realizohet në 20 lokacione, duke përfshirë edhe rrjetin kryesor të kanalizimit Zajaz - Kërçovë. 
 
“MMJPH për realizimin e këtij projekti do të investojë rreth 14 milionë euro. Këto mjete do të investohen diku mbi 20 lokacione, përfshi ndërtimin e kolektorit Zajaz-Kërçov, që do të shtrihet nga Zajazi deri në hyrje të qytetit të Kërçovës dhe do të kalojë përgjatë lumit të Zajazit. Nga rrjedhat ekzistuese përgjatë kolektorit Zajaz - Kërçovë ka rrjete sekondare që janë ndërtuar plotësisht në vendet Trapçindoll, Strogomisht e epërm dhe e poshtëm. Këto rrjete sekondare janë të lidhura me rrjetin Zajaz - Kërçovë. Është planifikuar ndërtimi i një kolektori kryesor të ujërave të zeza Zajaz - Kërçovë me një gjatësi prej rreth 11 kilometrash. Duhet të pranojë ujërat e zeza nga vendbanimet Zajaz, Greshnicë, Strogomishtë e epërm dhe e poshtëm, Kolibar, Lapllindoll dhe Trapçindoll.”, - deklaroi ministri i MMJPH-së, Izet Mexhiti.
 
Mexhiti sqaroi se mjetet për këtë projekt u siguruan nga Qeveria, sepse mjetet e parashikuara IPA në kuadër të programit operativ sektorial, për mjediset dhe veprimet klimatike për periudhën programore 2014-2020 tash më nuk do të mund të përdoren për shkak të ndërprerjes së kontratës pas mospërmbushjes së obligimeve nga realizuesi.
 
Sipas Mexhitit, më 5 dhjetor 2024, kishin kaluar 21 nga 24 muajt e planifikuara për realizimin e projektit në fjalë, ndërsa përqindja e realizimit ishte vetëm 17 për qind.  
 
FITIM KRYEZIU