Maqedoni

Rasti “Aditiv”, Dimitrovska: Të respektohet prezumimi i pafajësisë

30.04.2025 13:16

Pas gati një jave heshtjeje lidhur me përfshirjen e saj në rastin e dyshuar korruptiv “Aditiv”...

Pas gati një jave heshtjeje lidhur me përfshirjen e saj në rastin e dyshuar korruptiv “Aditiv”, kryetarja e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, Tatjana Dimitrovska, ka reaguar publikisht. Ajo thekson se besueshmëria dhe integriteti i institucionit që ajo drejton nuk duhet të vihet në pikëpyetje në asnjë rrethanë. Dimitrovska thekson rëndësinë e respektimit të parimit të prezumimit të pafajësisë, çdo person konsiderohet i pafajshëm derisa të provohet e kundërta, si dhe të sundimit të ligjit. Ajo sqaron se komunikimi që ka pasur me një mik të familjes, i cili më vonë është bërë subjekt hetimi në këtë rast, nuk ka pasur asnjë qëllim për të ndikuar në procedurat apo në ndonjë aspekt të hetimit.
 
“Përmbajtja e komunikimit i referohet bisedave që nuk kanë lidhje me rastin “Aditiv”. Disa nga informacionet e ndara kanë të bëjnë me dokumente publike, përmbajtja e të cilave është bërë publike para komunikimit tonë, ndërsa pjesa tjetër është komunikim i zakonshëm miqësor. Shpreh keqardhjen time për këtë komunikim dhe theksoj se është bërë pa asnjë qëllim për të ndikuar në procedurat ose në ndonjë aspekt të hetimit. E them këtë me përgjegjësi. Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit aktualisht po zhvillon një procedurë për të verifikuar statusin pasuror të personit të lartpërmendur. Me ndarjen elektronike, lënda nuk më është caktuar mua për përpunim dhe, sipas rregullave të përcaktuara. Unë nuk kam mundësi të ndikoj në rrjedhën e procedurës ose në rezultatin e saj. Vendimet e KShPK-së merren kolektivisht, me shumicën e votave të anëtarëve.”, thuhet në reagimin e saj.
 
Ajo shton se do të bashkëpunojë plotësisht me autoritetet gjyqësore kompetente dhe pret zgjidhje të shpejtë dhe transparente të “incidentit”.
 
BELINDA KOKA ADEMI