Maqedoni

Investime në komunën e Çairit, Ganiu: Do ta modernizojmë Çairin

30.04.2025 13:51

Gjithsej 8.7 milionë euro parashikohen të investohen deri në fund të këtij viti në komunën e Çairit...

Gjithsej 8.7 milionë euro parashikohen të investohen deri në fund të këtij viti në komunën e Çairit. Kryetari i kësaj komune, Visar Ganiu, bëri të ditur se kryesisht këto investime do të jenë në zhvillimin dhe përmirësimin e infrastrukturës rrugore, ndërtimin dhe rikonstruimin e çerdheve, përmirësimin e shërbimeve publike, kënde të reja për banorët, si dhe investime në rrjetin ujësjellës, kanalizues dhe atmosferikë.
 
“Për vitin 2025 komuna e Çairit ka planifikuar investime rreth 8.7 milionë euro duke u fokusuar në zhvillimin infrastrukturës moderne, ndërtimin e çerdheve, përmirësimin e shërbimeve publike dhe krijimin e hapësirave të reja. Në lagjen Fushë Topanë do të realizohen projekte që do të ndihmojnë zhvillimin e qëndrueshëm dhe rritjen e cilësisë së jetesës, ndërtimi i çerdhes “Borëbardha”, rikonstruimi i infrastrukturës rrugore. Me këto projekte, ne modernizojmë Çairin.”, - deklaroi kryetari i komunës së Çairit, Visar Ganiu.
 
Rikonstruimi i rrugëve do t’i përfshijë të gjitha vendbanimet e komunës së Çairit, siç janë Fushë Topana, Teneqe Mëhalla, Topana, Çair i ri dhe i  vjetër, Serava, Gazi Baba dhe Dyqanxhiku. Mjetet do të sigurohen nga kredia hungareze, tha Ganiu. 
 
“Konkursi për të aplikuar me projekte është deri më sot dhe ne kemi aplikuar dhe ju kemi informuar se aplikimet i kemi bërë në dy faza. Ato tani do të merren dhe do të rishqyrtohet i gjithë dokumentacioni dhe pastaj kuptohet se mjetet do të lëshohen për të gjitha projektet.”, - theksoi kryetari i komunës së Çairit, Visar Ganiu.
 
Lidhur me komunikacion të stërngarkuar dhe aksidentet e shpeshta në këtë komunë, Ganiu përgjegjësinë ua delegon autoriteteve të qytetit.
 
“Jeni dëshmitarë se ngjarjet që po ndodhin janë në rrugët që po menaxhohen nga Qyteti i Shkupit dhe jeni dëshmitarë pothuajse tre vite e gjysmë se Qyteti i Shkupit nuk e pati të arsyeshme të investojë në asnjë vizë apo sinjalizim të investojë në komunën e Çairit dhe kjo e vështirëson funksionimin në komunën tonë.”, - u shpreh kryetari i komunës së Çairit, Visar Ganiu.
 
Gjatë vitit të kaluar, tha Ganiu, përmes zbatimit të shumë projekteve të tjera janë investuar rreth 2.7 milionë euro në lagjet Dizhon, Sahat Kullë, Seravë dhe Çair.  
 
REXHEP QAMILI