Maqedoni

Ziadin Sela: Nuk jemi gomë rezervë, as pjesë e lojërave

30.04.2025 14:26

Që nga krijimi i kësaj qeverisjeje, mendojmë se legjitimiteti shqiptarëve në Maqedoni është shkelur rëndë...

Që nga krijimi i kësaj qeverisjeje, mendojmë se legjitimiteti shqiptarëve në Maqedoni është shkelur rëndë, ndërsa subjektet politike, të cilat janë pjesë e kësaj Qeverie, vazhdojnë të bëjnë lojëra se kush hyn e kush del, por ASh-ja nuk është pjesë e këtyre lojërave. Kështu tha kryetari i Aleancës për Shqiptarët, krahu i Zijadin Selës, në një intervistë dhënë emisionit ZOOM në RTVM2.
 
“Ne, gomë rezervë, nuk jemi e askujt. Ne vazhdojmë të mendojmë se është shkelur rëndë legjitimiteti i shqiptarëve në vitin e kaluar si rezultat i zgjedhjeve parlamentare dhe vlerësojmë që veprimi politik shqiptar në këtë akt i është bërë një gabim shumë i madh, që merr kohë dhe energji për t’u rregulluar dhe në momentin kur shkelet legjitimiteti, pastaj subjektet politike që janë brenda Qeverisë, bëjnë lojëra nga vetja, dikush hyn e dikush del, por ASh-ja e udhëhequr nga unë, nuk është pjesë e këtyre lojërave.”, - deklaroi kryetari i ASh-së, Zijadin Sela.
 
Sela po ashtu ka theksuar se është më se e nevojshme  të riaktualizohet një tryezë e partive shqiptare teksa foli edhe për mundësinë e bashkimit të tij dhe të Arben Taravarit.
 
“Bashkimi im me Arben Taravarin do të ishte amoralitet i skajshëm, për shkak se unë nuk i dhashë ndonjë shkas që ai të ndahet, në qoftë se është qyqar dhe do t’i ikë përgjegjësisë dhe përballjes me organet partiake është problem i tij dhe unë nuk mund t’i falë sikur s’ka ndodhur asgjë.”, - theksoi kryetari i ASh-së, Zijadin Sela. 
 
Sela i vlerësoi korrekte raportet brenda Frontit Evropian.
 
“Kemi rënë dakord, që Fronti Evropian duhet të jetë bashkë edhe në zgjedhjet lokale. Bashkë duhet të jemi edhe në kandidatura, edhe në lista për këshilltarë, por akoma nuk kemi biseduar për ndarjen se kush në cilën komunë do të ketë kandidatin për kryetar komune. Ne kemi të drejtën morale, që ti kërkojmë zgjedhjet parlamentare.”, - theksoi kryetari i ASh-së, Zijadin Sela.
 
Shkrirjen e tre subjekteve politike në kuadër të koalicionit VLEN në një parti, Sela e cilësoi si një veprim të qëlluar, pasi sipas tij, shqiptarëve në RMV nuk u duhet më shumë se dy taborë politik.
 
FITIM KRYEZIU