Maqedoni
Dita Botërore e Lirisë së Shtypit, gazetarët, në aksionin për dhurimin e gjakut
30.04.2025 14:41
Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit një numër i madh gazetarësh dhe punonjësish mediatikë...

Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit një numër i madh gazetarësh dhe punonjësish mediatikë, si dhe qytetarë, dhuruan gjak në disa lokacione të vendit. Aleksandra Valkanovska, nga Kryqi i Kuq i Qytetit të Shkupit, shprehu mirënjohje për aksionin human, duke theksuar punën e gazetarëve dhe punonjësve të medias, si një element të rëndësishëm në shoqëri.
“Mënyra se si po e shënoni këtë ditë është e mrekullueshme. Është vërtet kënaqësi që keni njohur humanizmin, solidaritetin dhe mbështetjen e të tjerëve përmes aktit të dhurimit të gjakut në ditën që është juaja, e gazetarëve, e lirisë së medias dhe e të gjithë juve anëtarëve të sindikatës së punonjësve të medias.”, - deklaroi Aleksandra Valkanovska nga Kryqi i Kuq.
Nga ShGM-ja thonë se gazetarët në Maqedoninë e Veriut po punojnë në kushte të vështira, nën presion serioz, kërcënime dhe sulme, si dhe me të ardhura të ulëta dhe sfida serioze që lidhen me situatën socio-ekonomike.
“Gazetaria është një profesion që ka një mision të veçantë, të mbrojë interesin publik dhe të jetë ndërgjegjja dhe zëri i komunitetit. Sot, me këtë aksion për dhurimin e gjakut, po dërgojmë një mesazh të fortë, se jemi këtu për njëri-tjetrin.”, - theksoi kryetari i ShGM-së, Mladen Çadikovski.
“Sot në Maqedoni, megjithëse liria e shprehjes duket se ekziston, ajo është nën kërcënime serioze delikate që rrjedhin nga presionet nga qendrat e pushtetit, gjendja e dobët financiare e medias, zhvillimi i shkretëtirave mediatike në një pjesë të madhe të territorit të vendit, kërcënimet ndaj gazetarëve dhe punonjësve të medias, veçanërisht në hapësirën onlajn”, - u shpreh kryetari i SPGPM-së, Pavle Belovski.
Për të tretin vit radhazi shënohet Dita Botërore e Lirisë së Shtypit me një fushatë dhurimi gjaku, duke iu bashkuar kështu festimit global të organizuar nga UNESCO, si dhe Federata Ndërkombëtare e Gazetarëve.
FITIM KRYEZIU
