Maqedoni

Konferencë mbi efikasitetin gjyqësor, nevojitet pavarësi financiare, punësime të reja

30.04.2025 14:58

Pavarësia e gjyqësorit nuk është privilegj i gjykatësve, por është garanci thelbësore për mbrojtjen e të drejtave dhe liritë e qytetarëve....

Pavarësia e gjyqësorit nuk është privilegj i gjykatësve, por është garanci thelbësore për mbrojtjen e të drejtave dhe liritë e qytetarëve. Kështu vlerëson kryetari i Këshillit Gjyqësor, Aleksandar Kambovski, sipas së cilit, varësia financiare e gjyqësorit sjell rrezik real nga ndikime indirekte, që mund të fundosin besimin e publikut dhe efikasitetin e procedurave. Dorëheqjet në Këshillin Gjyqësor nuk janë reforma, shton Kambovski.
 
“Dorëheqjet nuk janë reforma, Këshilli Gjyqësor thuajse tërësisht është ndryshuar. Kjo përshtypje vjen nga përbërja e kaluar e Këshillit Gjyqësor, siç e dini, thuajse gjysma e këshillit ka ndryshuar. Nëse me të vërtetë duam reforma, ajo bëhet në mënyrë ndryshe, siç është ndryshimi i ligjit, zvogëlimi i mandatit, deprofesionalizimi i Këshillit Gjyqësor apo i prokurorëve. Vetëm ndryshimet personale nuk sjellin asgjë. Cila është garancia se anëtarët e rinj do të jenë më të mirë?!”, - deklaroi kryetari i Këshillit Gjyqësor, Aleksandar Kambovski.
 
Kryetari i Shoqatës së Gjykatësve, Ivan Xholev, theksoi se mungesa gjykatësve, stafit gjyqësor dhe pavarësisë financave janë pengesat kryesore për përmirësimin e situatës në sistemin e drejtësisë.  
 
“Mungesa e gjyqtarëve, shërbimeve gjyqësore dhe pavarësia financiare krijojnë probleme për sa i përket zgjidhjeve kadrovike. Çdo vit kemi rritje të lëndëve dhe rënie të numrit të zyrtarëve dhe gjyqtarëve në gjykata. Kjo gjë nuk shkon me njëra-tjetrën. Nëse duam një gjyqësor efikas, duhet të investojmë në të, të bëjmë investime kapitale, të krijojmë vende të reja pune, të digjitalizojmë gjyqësorin etj.”, - theksoi kryetari i Shoqatës së Gjykatësve, Ivan Xholev.
 
Reforma ka, por jo edhe rezultate, vlerëson gjykatësi supreme, Xhemali Saiti.
 
“Sistem i pavarur gjyqësor nënkupton institucione të etabluara, qëndrueshmëri financiare efikasitet dhe ndarje të drejtë të drejtësisë. Në realizimin e këtyre qëllimeve është i nevojshëm bashkëveprim institucional të të tria pushteteve, i bazuar në parimet universale të sundimit të së drejtës dhe vlerat demokratike. Për fat të keq, edhe pas shumë reformave të zbatuara sot, sikurse të jemi në vetë fillimin, debate të njëjta, zotime të njëjta, shpresë e re dhe probleme të vjetra.”, - deklaroi gjykatësi suprem, Xhemali Saiti. 
 
Drejtësia duhet të fitojë në praktikë, jo vetëm në teori. Vizioni i përbashkët është një gjyqësor i pavarur, transparent dhe para së gjithash, efikas, vlerëson shefi i OSBE-së në vend.
 
“Fokusi i strategjisë sonë 3-vjeçare është pikërisht në reformat ligjvënëse, koordinim më i fortë në suaza të sistemit juridik dhe investime të qëndrueshme për mbështetjen e sistemit juridik, i cili vendos në mënyrë efikase dhe të drejtë.”, - u shpreh ambasadori i OSBE-së, Kilian Val.
 
Këto vlerësime u bënë në kuadër të konferencës "Forcimi i pavarësisë dhe përgjegjësisë gjyqësore përmes efikasitetit më të madh në procedura”. 
 
FLORIJE KAMBERI