Maqedoni
Taravari: I urojmë suksese VLEN-it
30.04.2025 15:47
Pas takimit të mbrëmshëm të koalicionit VLEN për të formuar një parti politike Taravari, i cili është tanimë jashtë këtij koalicioni, u uroi suksese....

Pas takimit të mbrëmshëm të koalicionit VLEN për të formuar një parti politike, kryetari i njërës prej krahëve të Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, i cili është tanimë jashtë këtij koalicioni, u uroi suksese. Tha se ata qëndrojnë të prerë në vendimin për të vazhduar të vetëm me lista të veçanta dhe me shumë mundësi, edhe me kandidatë të veçantë.
“Ne ju urojmë suksese, gëzohem që u bashkuan 3 parti në 1 parti, urojmë që të bëjnë rezultate sa më të mira. Ne tash për tash dalim me lista të veçanta, me shumë gjasa edhe me kandidatë të veçantë.”, - deklaroi kryetari i ASh-së, Arben Taravar.
Snopçe: Nëse ASh-ja del nga Qeveria, nevojiten zgjedhje të parakohshme
Deputeti që është pjesë e njërës prej fraksioneve të Aleancës për Shqiptarët të Arben Taravarit, Halil Snopçe, ka theksuar se nëse partia e tij del nga Qeveria, atëherë janë të nevojshme zgjedhje të parakohshme parlamentare, për shkak se Qeveria do të jetë e paqëndrueshme dhe pa legjitimitet.
"Pa dyshim që Qeveria i ka numrat edhe pa Aleancën për Shqiptarët, por do të jetë e paqëndrueshme me vetëm nëntë deputetë shqiptarë.", - theksoi deputeti i ASh-së, Halil Snopçe.
Pas deklaratës së deputetit Snopçe kanë reaguar nga VMRO-DPMNE. Nga atje theksojnë se jozyrtarisht kanë shumicë prej dy të tretave, mbi 80 deputetë. Deputeti i kësaj partie, Bojan Stojanovski, është i vendosur se partia e tij është e gatshme për zgjedhje të parakohshme parlamentare në çdo moment, por, siç tha ai, ato nuk do të mbahen së bashku me zgjedhjet lokale në vjeshtë.
“Edhe nëse ndodh një situatë e tillë, Qeveria do të funksionojë krejtësisht normalisht dhe më mirë se më parë.”, - u shpreh deputeti i VMRO-DPMNE-së, Bojan Stojanovski.
Përçarja në koalicionin VLEN tashmë po pasqyrohet edhe në Kuvend. Pas ndarjes së ASh-së së Taravarit nga koalicioni, Halil Snopçe pritet të zëvendësohet nga Bekim Qoku, si koordinator i Grupit Parlamentar të VLEN-it. Snopçe deklaroi se nuk është i informuar për vendimet e fundit, pasi si parti nuk ishin të ftuar në takimin e mbrëmshëm të koalicionit.
"Unë nuk e di çfarë vendimesh janë marrë në atë takim dhe nuk kam asnjë konfirmim zyrtar nga shërbimet e Kuvendit se 9 deputetë nga gjithsej 14 të VLEN-it kanë paraqitur kërkesë për një grup të veçantë parlamentar. Derisa të kem një informacion të tillë, nuk mund të komentoj. Por, nëse kjo ndodh, atëherë automatikisht implikon edhe krijimin e një grupi parlamentar të Aleancës për Shqiptarët me pesë deputetë.", - deklaroi deputeti i ASh-së, Halil Snopçe.
Ndryshimi i koordinatorit të grupit parlamentar të VLEN-it pason pasi koalicioni dje shpalli një moratorium për të gjitha aktivitetet publike politike të partive që e përbëjnë atë dhe njoftoi se nga tani do të veprojë si një subjekt i vetëm politik, pra si parti. Bekim Qoku është deputet i pavarur nga Lëvizja Vetëvendosje, i cili garoi në zgjedhje me koalicionin VLEN dhe pas përçarjes mbeti në grup me Izet Mexhitin, Bilall Kasamin dhe Zeqirija Ibrahimin.
ARMEND MURSELI
