Botë
Konflikti Rusi – Ukrainë, ShBA-ja paralajmëron: Pa dialog, s’ka ndërmjetësim!
30.04.2025 16:22
Tramp, deklaroi se Putin kishte synim ta pushtonte të gjithë Ukrainën, por se kjo nuk ka ndodhur për shkak të fitores së tij në zgjedhje...

Presidenti amerikan, Donald Tramp, deklaroi se presidenti rus, Vladimir Putin, kishte synim ta pushtonte të gjithë Ukrainën, por se kjo nuk ka ndodhur për shkak të fitores së tij në zgjedhje. Në një intervistë për “ABC”, Trampi tha se Kremlini dëshiron paqe, pavarësisht sulmeve të fundit.
“Putini e donte të gjithë Ukrainën. Mendoj se nëse nuk do të fitoja në zgjedhje, ai do ta kishte marrë tërë Ukrainën. Besoj se ai është i gatshëm të ndalojë luftën. Do të them se nuk më bëri aspak të lumtur të shoh Putinin duke lëshuar raketa mbi disa qytete, kjo nuk më pëlqeu. Dhe mendoj se është e papërshtatshme. E gjithë kjo luftë është e papërshtatshme.”, - deklaroi presidenti amerikan, Donald Tramp.
Departamenti i Shtetit njoftoi se ShBA-ja do të tërhiqet nga përpjekjet për ndërmjetësim, nëse Rusia dhe Ukraina nuk paraqesin propozime konkrete për t’i dhënë fund konfliktit.
“Mënyra se si do të vazhdojmë tutje është vendim që i takon presidentit. Nëse nuk ka përparim, ne do të tërhiqemi si ndërmjetësues në këtë proces.”, - theksoi zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Tami Bruce.
Presidenti ukrainas, Volodimir Zelenski, u shpreh i prerë se hapi i parë drejt paqes është që Rusia të pranojë një armëpushim pa kushte.
“Rusia duhet të ndërmarrë hapa të qarta për t’i dhënë fund luftës dhe ne insistojmë që ndalimi i plotë dhe pa kushte i zjarrit të jetë hapi i parë. Rusia duhet ta bëjë këtë. Për momentin, ata janë të shqetësuar nëse parada e tyre është në rrezik, dhe me të drejtë. Por, ajo për të cilën duhet të jenë të shqetësuar është fakti që kjo luftë ende vazhdon.”, - u shpreh presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski.
Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, e refuzoi propozimin e Zelenskit për një armëpushim të menjëhershëm, pas ofertës së mëparshme të presidentit Putin për një armëpushim 72-orësh me rastin e Ditës së Fitores.
“Tani papritmas, në sfondin e asaj që po ndodh në terren, në vijën e frontit, ku regjimi ukrainas është duke u tërhequr, ata ndryshuan pozicionin për 180 gradë dhe filluan të kërkojnë një armëpushim të menjëhershëm pa parakushte. Kemi kaluar tashmë nëpër situata të tilla.”, - deklaroi ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov.
Ndërkohë, luftimet në terren vazhdojnë. Në Kharkiv dhe Dnipro armët nuk pushojnë. Njësitë ruse të mbrojtjes ajrore njoftuan se gjatë natës kanë shkatërruar dronë ukrainas.
BELINDA KOKA ADEMI
