Futboll
Bayern-Barcelona, luhet akti i dytë
12.05.2015 14:18
Një javë kaloi shpejt dhe Barcelona e Bajerni i Mynihut i drejtohen aktit të dytë të fazës gjysmëfinale në Champions League...

Një javë kaloi shpejt dhe Barcelona e Bajerni i Mynihut i drejtohen aktit të dytë të fazës gjysmëfinale në Champions League, këtë herë në Allianz Arena, ku ekipi bavarez do të përpiqet për të imituar Deportivon e Javier Irureta-s, që 11 vjet më parë përmbysi disavantazhin 4-1, duke poshtëruar në “Riazor” Milanin e Ancelottit me rezultatin 4-0.
Gjashtë ditë më parë në Camp Nou pavarësisht rasteve të shpërdoruara nga vendasit Bajerni u mbajt mirë për plot 77′, megjithatë në pjesën e mbetur Lionel Messi ndëshkoi dy herë mbrojtjen e brishtë të skuadrës bavareze, duke shërbyer më pas edhe për Neymar në golin e tretë.
Zëvendësimi i Thomas Mueller me Mario Gotze-n përvecse rezultoi i kotë acaroi së tepërmi edhe shtypin gjerman dhe cuditërisht Guardioala nuk u kënaq me pasivin 1-0 por orientoi ekipin për të luajtur lart dhe për të ushtruar presing.
Manovër që ngjau si vetëvrasje për Bajernin pasi është e kuptueshme që tre yjet Messi – Suarez – Neymar nuk mund të mbulohen dot një për një nga mbrojtësat e kampionëve të Gjermanisë dhe goli i tretë i shënuar vetëm pak sekonda para fundit të takimit përvecse duket fatal në njëfarë mënyre tregon qartë atë cfarë është në gjendje të bëjë ekipi blaugrana brenda në Allianz Arena.
Trajneri Luis Enrique nuk ka probleme dëmtimesh apo kartonësh me futbollistët e tij kështuqë në Bavari me shumë gjasa do të zbresë në fushë 11-shi më i mirë, pra pikërisht i njëjti formacion që fitoi 3-0 në Katalonjë.
Pavarësisht gjithë këtij avantazhi me 2 barazime dhe 2 humbje në 4 vizitat e mëparshme në Mynih, Barca sipas trajnerit asturian do të luajë si zakonisht për fitore e në fakt edhe vetë rrethanat tregojnë se futbollistët e Barcelonës do të kenë hapësira pa fund për të shfrytëzuar në kundërsulm, natyrisht për të zhbllokuar ndeshjen apo qoftë edhe për të shënuar një gol të vetëm që me ecurinë e deritanishme del e tepron për të garantuar finalen e tetë në historinë e klubit.
Gjyqtar kryesor i këtij takimi do të jetë 40-vjecari anglez Mark Clattenburg, sidoqoftë në rast se skuadra katalanase fiton brenda në Mynih atëherë Barcelona e Luis Enriques do të thyejë rekordin e klubit në Champions të sezonit 2002-03 dhe njëkohësisht do të barazojë edhe rekordin e këtij aktiviteti, që mbahet me 10 fitore radhazi nga dy skuadrat e tjera Real Madrid dhe Bajern Mynih.
