Maqedoni
VLEN dënon paraqitjet e Ahmetit, BDI: Jeni vazal i VMRO-DPMNE-së
30.04.2025 18:58
Koalicioni VLEN e dënon BDI-në për siç thonë, retorikën luftarake dhe nxitëse gjatë vizitës...

Koalicioni VLEN e dënon BDI-në për siç thonë, retorikën luftarake dhe nxitëse gjatë vizitës së kreut të integristëve Ali Ahmeti në Kosovë, i cili në takim me presidenten Vjosa Osmani ka shprehur shqetësim për gjendjen politike dhe institucionale në vendin tonë, si dhe prekjen e Marrëveshjes së Ohrit. VLEN garanton se shteti nuk ka rrezik nga askush.
“Në stilin e diktatorëve komunistë nga të cilët edhe sot gjen frymëzim, Ali Ahmeti vazhdon të propagojë për armikun imagjinar dhe rrezikun e jashtëm sikur të ishim duke jetuar në kohën e Luftës së ftohtë, si mënyrë e vetme për të ruajtur kolltukun e rehatshëm qeveritar. Por, kohërat kanë ndryshuar. Sot Maqedonia e Veriut është vend anëtar i NATO-s dhe kontribues për paqen globale. Si i tillë, vendi jonë nuk është nën kërcënim nga askush, as nga brenda as nga jashtë”- thuhet në komunikatën e VLEN-it.
Kundërpërgjigjen nga BDI-ja. Opozita shqiptare akuzon VLEN-in se po implementon vetëm interesat e partnerit koalicionar qeveritar, VMRO-DPMNE.
“Problemi është se ata gjithçka shohin në prizmin e interesit të patronit të tyre, VMRO –DPMNE. Prandaj vlerësojnë se është në rregull që po zhbëhet çdo e arritur e shqiptarëve pas vitit 2001. Ky është çmim i vazalitetit”- theksojnë nga Bashkimi Demokratik për integrim, të cilët situatën aktuale poltike e shohin si shtypje ndaj shqiptarëve dhe mospërfilljen e VLEN-it në vendimet e rëndësishme shtetërore dhe shoqërore.
VLORA LATIFI TOPOJANI
