Botë
Ukrainë – SHBA, arrihet marrëveshje për mineralet e rralla
01.05.2025 12:02
Pas muajsh tensionesh dhe negociatash, Shtetet e Bashkuara dhe Ukraina kanë nënshkruar një marrëveshje...

Pas muajsh tensionesh dhe negociatash, Shtetet e Bashkuara dhe Ukraina kanë nënshkruar një marrëveshje për mineralet e rralla të tokës që do t'i japë Uashingtonit akses në burimet natyrore të Kievit në këmbim të ndihmës amerikane në zmbrapsjen e një pushtimi rus dhe rindërtimin e vendit.
Ndër kushtet e marrëveshjes është që pronësia dhe kontrolli i plotë i mbetet Ukrainës, tha ministri ukrainas i ekonomisë. Marrëveshja vjen në një kohë të një lufte tregtare të SHBA-së me Kinën, nga e cila burojnë 90 përqind e furnizimeve aktuale botërore të metaleve të rralla. Ish-ambasadori i SHBA-së në Ukrainë e komentoi marrëveshjen si të drejtë dhe të ekuilibruar. Ndërsa qeveria ukrainase e sheh marrëveshjen si pjesë të një kuadri më të gjerë negociues që do të çojë në krijimin e një paqeje të qëndrueshme, dhe të drejtë, Moska i kushtëzon negociatat për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë me përmbushjen e qëllimeve të saj strategjike. Gjatë natës, ajo kreu sulme të reja masive me dronë në Odessa. Autoritetet ukrainase raportojnë se ka viktima dhe të plagosur.
