Rajon

Kuvendi i Kosovës, dështoi për të nëntën herë seanca konstituive

01.05.2025 13:51

Ka dështuar për herë të nëntë seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës....

Ka dështuar për herë të nëntë seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës. Kryesuesi i seancës, deputeti i LVV-së Avni Dehari, ka propozuar që kësaj rrudhë votimi për kryeparlamentarin të bëhet me votim të fshehtë. 
 
“Rruga për zhbllokimin e procesit konsideroj që forma e duhur është votimi në mënyrë të fshehtë me fletëvotime fizike.”, u shpreh kryesuesi i seancës, Avni Dehari.
 
Ky propozim u kundërshtua nga PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe. 
 
“Nuk keni të drejtë që në mes të votimit ta ndryshoni formën e votimit. Prej kur ka kuvend edhe para edhe pas shpalljes së pavarësisë, kjo është e pa precedent nuk ka ndodh. Sikur të kishit vendosur në fillim ndoshta do të ishte edhe e pranueshme por kjo nuk është e  pranueshme. Ju ftoj që mos ta thelloni krizën por të dilni nga kriza duke e propozuar dikë që mund ti marr votat e ju e dini që në mesin tuaj ka të tillë.”, tha Memli Krasniqi nga PDK.
 
“Kjo që po bëni është arbitrare është shkelje kushtetuese, shkelje e rregullores. Ndryshimi i mënyrës së votimit në proces, siç u tha edhe më herët, nuk ka ndodhur as një herë dhe ne nuk do të bëhemi asnjëherë pjesë e shkeljeve tuaja.”, tha Hykmete Bajrami nga LDK.
 
“Kjo që po ndodh këtu vërtet është për keqardhje. Aleanca ka dhënë alternativa dhe ju nuk i keni pranuar ato alternativa, prandaj nuk do të bëhemi pjesë e cirkut tuaj.”, tha Time Kadriaj nga AAK.
 
“Propozimi që është dhënë nuk është në përputhje me rregulloren për punën e kuvendit, prandaj Lista Serbe nuk do të jep anëtarin e sajë për formimin e një komisioni të tillë.”, tha Igor Simiq nga Lista Serbe.
 
Lëvizja Vetëvendosje akuzoi PDK-në, LDK-në, AAK-në  dhe Listën Serbe për bllokim të konstituimit të kuvendit. 
 
“Tashmë është e qartë se kush po bllokon, pran kemi PDK-në, LDK-në, AAK-në dhe Listën Serbe të cilët u deklaruan se janë kundër vazhdimit, kundër zhbllokimit të procesit për konstituimin e kuvendit.”, tha Hekuran Murati nga LVV.
 
Për tejkalimin e kësaj bllokade paraprakisht nevojitet arritja e marrëveshjes politike. 
 
“Marrëveshje politike duhet të ndërtohet para futjes në kuvend, dhe ajo shumicë pastaj udhëheq në ndërtimin e institucioneve prej kryetarit të kuvendit e deri në qeveri.”, tha Fatmir Limaj nga Nisma.
 
Në mungesë të marrëveshjes politike për të zgjedhur kryeparlamentarin, kryesuesi i seancës Avni Dehari e ndërpreu seancën për ta caktuar për vazhdimin e sajë për tre maj. 
 
VLORA LATIFI TOPOJANI