Maqedoni
1 Maji, urojnë krerët shtetëror dhe partiak, nuk munguan as akuzat ndër – partiake
01.05.2025 15:14
Në ditën ndërkombëtare të punëtorëve - 1 Majin, për ata që mbajnë gjallë shtetin dhe shoqërinë...

Në ditën ndërkombëtare të punëtorëve - 1 Majin, për ata që mbajnë gjallë shtetin dhe shoqërinë, vijnë urimet dhe premtimet nga kreu shtetëror. Kryeministri Hristijan Mickoski, mes tjerash zotohet se qeveria e udhëhequr nga ai do të vazhdojë me përpjekjet për të përmirësuar standardin ekonomik dhe financiar të qytetarëve.
“Qeveria edhe në të ardhmen vazhdon te mbetet tërësisht e përkushtuar në përmirësimin e standardit jetësor të qytetarit: përmes rritjes së pagave, pensioneve, përkrahjes për vende të reja të punës, përparimin e të drejtave të punëtorëve dhe uljen e papunësisë. Investojmë në vlerat e vërteta – të punës, dijes dhe njeriut.”, – shkruan kryeministri, Mickoski.
Për kryetarin e kuvendit, Afrim Gashi, 1 Maji pasqyron shtyllën e ekonomisë dhe shoqërisë së shtetit.
“Si institucione shtetërore, obligimi ynë më i lartë është të krijojmë kushte për punë të sigurt, të drejtë dhe me dinjitet për të gjithë. Puna juaj meriton të vlerësohet në mënyrë të denjë, me respekt dhe përkrahje.”, - thuhet në komunikatën e lëshuar nga kabineti i kryeparlamentarit, Gashi.
Në ditën e parë të majit, presidentja e shtetit Gordana Siljanovska Davkova fton kryesuesit e pushtetit që të kujtohen së bashku nëse punëtorët gëzojnë punë dinjtoze.
“1 Maji është dita e vërtetë kur ne bartësit e pushtetit duhet të parashtrojmë pyetje: A realizohet e drejta e punës dhe si? A ka gjithkush zgjedhje të lirë për punësim? A janë të mbrojtur punëtorët gjatë punësimit? A i janë mundësuar secilit kushte të barabarta për qasje në secilën punë?”, - shkruan shefja e shtetit, Siljanovska Davkova.
Edhe koalicioni VLEN me urim për 1 Majin. Si partnere e koalicionit qeveritar siguron vazhdimin e përpjekjeve për krijimin e politikave në favor të punëtorëve.
“Si VLEN jemi të përkushtuar në mënyrë të palëkundur për përmirësimin e gjendjes së punëtorëve në vend, duke e vënë në qendër të politikave tona konceptin e punës me dinjitet dhe meritokraci. Rezultatet e punës dhe angazhimit për të cilin po flasim tashmë janë të prekshme dhe të dukshme. Në këtë ditë të rëndësishme, ripërsërisim përkushtimin tonë për të qenë gjithmonë në krah të punëtorëve, jo vetëm me fjalë boshe, por me vepra konkrete dhe politika që sjellin ndryshim të qëndrueshëm.”, – thonë nga VLEN.
Në ditën e punëtorëve qëndroi pranë tyre edhe kreu i LSDM-së Venko Filipçe, i cili thotë se tani edhe nga këndi i opozitarit vazhdon me luftën për jetë më të mirë për qytetarët. Njëherit nga partia e tij akuzojnë pushtetin për keqpërdorim të buxhetit nga ana e disa ministrave.
“Në secilin muaj të këtij viti, duke filluar nga janari, qeveria ka shpenzuar mesatarisht nga 10000-euro nga buxheti nëpër kafene, përderisa iu shpjegonte punëtorëve se 400euro janë mjaftueshëm për jetë. Nuk ka para për paga por ka për mikpritje e ministrave. Ky nuk është pushtet i qytetarëve, është i një elite të izoluar nga populli i vet. VMRO – DPMNE sot nuk është parti e popullit.”, - tha Bogdanka Kuzeska nga LSDM.
Por nga VMRO-DPMNE-ja kanë reaguar duke thënë se pikërisht në kohën e LSDM-së është bërë luks, janë blerë aparate që kurrë nuk janë përdorur, janë djegur spitale ndërsa të parët e LSDM-së kanë shpenzuar në bileta fluturimi. Në adresë të punëtorëve, për 1 Maj nuk kanë munguar urimet dhe mbështetjet edhe nga partitë tjera politike.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
