Botë

ShBA-ja dhe Ukraina nënshkruajnë marrëveshje për mineralet

01.05.2025 15:47

Shtetet e Bashkuara dhe Ukraina kanë nënshkruar një marrëveshje të rëndësishme për bashkëpunim në sektorin e burimeve natyrore...

Shtetet e Bashkuara dhe Ukraina kanë nënshkruar një marrëveshje të rëndësishme për bashkëpunim në sektorin e burimeve natyrore, pas muajsh negociatash intensive mes dy vendeve. Marrëveshja e nënshkruar u jep SHBA-ve, akses të privilegjuar në projektet e reja të investimeve në minerale të Ukrainës për zhvillimin e burimeve natyrore, duke përfshirë aluminin, grafitin, naftën dhe gazin natyror. 
 
“Jam i lumtur të njoftoj nënshkrimin e Marrëveshjes historike të Partneritetit të sotëm Ekonomik midis SHBA-së dhe Ukrainës, duke krijuar Fondin e Investimeve për Rindërtim SHBA-Ukrainë. Ky partneritet u lejon Shteteve të Bashkuara të investojnë së bashku me Ukrainën për të zhbllokuar asetet e rritjes së Ukrainës, për të mobilizuar talentin, kapitalin dhe standardet e qeverisjes amerikane që do të përmirësojnë klimën e investimeve në Ukrainë dhe do të përshpejtojnë rimëkëmbjen ekonomike të Ukrainës.”, tha sekretari i thesarit të ShBA-së, Scott Bessent.
 
“Ne kemi punuar kohë të gjatë për një marrëveshje serioze, e cila duhet të shkojë në parlament, t'i nënshtrohet procedurave të nevojshme dhe avokatët duhet të punojnë për të siguruar që të jetë një sukses për të dy vendet, ku secili vend do të përfitojë dhe mos të kemi humbës.”, tha presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.
 
Marrëveshja e Minierave Ukrainë-SHBA, së shpejti do të paraqitet për shqyrtim. Sipas deputetëve të parlamentit ukrainas, marrëveshja i referohet furnizimit të mundshëm të llojeve të reja të armëve në Ukrainë, si dhe krijimit të një fondi në të cilin SHBA-të do të investojnë në këto burime.
 
“Marrëveshja do të duhet të ratifikohet nga parlamenti ukrainas. E kemi parë tekstin e marrëveshjes në media, por nuk mund të themi se është 100% e vërtetë, pasi ende nuk është paraqitur në parlament.”, tha Lesia Zaburanna, anëtare e parlamentit të Ukrainës
 
“Ka dy pjesë të marrëveshjes. E para është një partneritet strategjik afatgjatë midis Shteteve të Bashkuara dhe Ukrainës. E dyta është mbështetja e SHBA-së për sigurinë, prosperitetin, rimëkëmbjen dhe integrimin e Ukrainës në strukturën ekonomike globale. Kjo është e gjitha që ka të bëjë me çështjen e garancive të sigurisë.”, tha Yaroslav Zhelezniak, anëtar i parlamentit të Ukrainës.
 
Deputetët thanë se procesi i ratifikimit do të zgjasë pak, me gjasë do të paraqitet javën e ardhshme. Ukraina zotëron rreth 5% të lëndëve të para kritike të botës, përfshirë 19 milionë ton rezerva të grafitit. Megjithatë, sfidat mbeten të mëdha. Një pjesë e konsiderueshme e burimeve ndodhet në territore të pushtuara nga Rusia dhe më shumë se një e katërta e territorit ukrainas është e kontaminuar me mina tokësore.
 
FARIJE DAUTI BAKIU