Maqedoni

Vendimi i Kushtetueses për Medresenë, reagon deputeti Sekender Rexhepi

01.05.2025 17:50

Deputeti Skeder Rexhepi njëherit edhe kryetar i Partisë Lëvizja Popullore...

Deputeti Skeder Rexhepi njëherit edhe kryetar i Partisë Lëvizja Popullore, ka reaguar ndaj vendimit të Gjykatës Kushtetuese, për “Medresenë Isa Beu” në Shkup.
 
“Ky institucion, që duhet të mbrojë të drejtat dhe barazinë e qytetarëve, sot është bërë një vegël politike për të shtypur të drejtat etnike të shqiptarëve – dhe jo vetëm! Pas shumë vendimeve diskriminuese ndaj shqiptarëve, kjo gjykatë tani ka shënjestruar edhe Bashkësinë Fetare Islame, duke i hequr medresesë “Isa Beu” të drejtën për arsim të mesëm në Shkup. Ky akt paraqet një diskriminim të hapur dhe një shkelje të rëndë të të drejtave të garantuara me vetë Kushtetutën”, thekson deputeti Rexhepi, në reagimin e tij në rrjetet sociale.
 
Absurdi më i madh sipas tij është se me diplomën e Medresesë “Isa Beu” mund të vazhdosh në universitete prestigjioze në Turqi, dhe në rajon, madje edhe në vendet perëndimore – por jo në RMV, në shtetin ku kjo medrese është themeluar!
 
“Kjo nuk është as gabim e as rastësi – kjo është një politikë e qëllimshme diskriminimi dhe një sulm i organizuar ndaj identitetit dhe ekzistencës sonë. Është e qartë: regjimi i ri monoetnik i VMRO-së po ndërton një shtet vetëm për maqedonasit – pa të drejta për shqiptarët, pa të drejta për muslimanët, pa barazi! Nuk duhet të heshtim e as të dorëzohemi! Të gjithë, pa dallime politike e partiake të ngrejmë zërin dhe të mos lejojmë që RMV të kthehet në vitet e errëta të apartheidit etnik!”, thekson deputeti Rexhepi.