Botë

Izraeli shpall gjendjen e emergjencës, mijëra hektarë shkrumbohen nga zjarret

02.05.2025 12:00

Një situatë dramatike është duke ndodhur në Izrael, ku zjarre të fuqishme kanë përfshirë pyje dhe zona të banuara në afërsi të Jeruzalemit...

Një situatë dramatike është duke ndodhur në Izrael, ku zjarre të fuqishme kanë përfshirë pyje dhe zona të banuara në afërsi të Jeruzalemit, duke detyruar autoritetet të shpallin gjendje të jashtëzakonshme kombëtare.
 
Kryeministri Benjamin Netanjahu deklaroi emergjencën të mërkurën, pasi flakët shpërthyen pranë autostradës Tel Aviv - Jeruzalem, duke çuar në evakuimin e mijëra banorëve dhe mbylljen e rrugës.
 
Zjarret kanë djegur mbi 5.000 hektarë tokë, përfshirë 3.000 hektarë pyje, ndërsa janë trajtuar të paktën 23 persona për asfiksi dhe djegie, mes tyre edhe fëmijë. 21 zjarrfikës janë plagosur gjatë përpjekjeve për shuarjen e flakëve. Në ndihmë të Izraelit po vijnë avionë nga Greqia, Italia, Kroacia, Franca, Spanja, Ukraina, Qiproja, Britania dhe vende të tjera evropiane për të ndihmuar në përballimin e situatës. Zjarret janë përkeqësuar nga era e fortë dhe temperaturat e larta, duke detyruar autoritetet të anulojnë festimet për Ditën e Pavarësisë së Izraelit. Ndërkohë, ka edhe dyshime për zjarrvënie të qëllimshme, ku kryeministri Netanjahu përmendi 18 arrestime, megjithëse policia ka konfirmuar vetëm 3 persona të ndaluar për zjarrvënie të mundshme. Gjendja mbetet kritike dhe autoritetet paralajmërojnë se zjarret mund të përhapen më tej, nëse kushtet atmosferike nuk përmirësohen.