Maqedoni
Java e imunizimit, Memedi: Vaksinat janë të sigurta dhe cilësore
02.05.2025 12:22
Duhet të rritet vetëdijesimi, ndërgjegjësimi dhe informimi i qytetarëve për rëndësinë e vaksinimit...

Duhet të rritet vetëdijesimi, ndërgjegjësimi dhe informimi i qytetarëve për rëndësinë e vaksinimit, sepse vaksinimi ka çrrënjosë shumë sëmundje infektive. që në të kaluarën kanë pasur edhe pasoja fatale. Kështu vlerëson pediatri, Harkan Memedi, sipas të cilit, prindërit duhet t’i vaksinojnë fëmijët e tyre sipas kalendarit të imunizimit për të parandaluar epidemitë dhe komplikimet e mundshme nga mosvaksinimi.
“Me vet faktin e mosvaksinimit, ne mund t’i kthejmë shumë sëmundje, të cilët veç më janë të çrrënjosura prej vendit tonë. Kemi sëmundje që janë aktuale në vendet e pazhvilluara, kurse tek ne nuk i kemi. Ajo është arritur falë vaksinimit, kurse nëse vazhdojmë që të mos i vaksinojmë fëmijët, ato sëmundje mund t’i kthejmë edhe në vendin tonë dhe besoj që nuk do të jetë mirë as për popullin tonë, por as për fëmijët tanë, të cilët mund t’i kthejmë sëmundjet e çrrënjosura.”, - deklaroi pediatri, Harkan Memedi.
Mjeku Memedi thotë se vaksinat janë të sigurta dhe cilësore dhe qytetarët duhet të informohen rreth tyre në pikat e vaksinimit dhe jo në rrjetet sociale ku ka shumë dezinformata.
“Sa i përket autizmit, është një spektër i gjerë ku mund të bisedohet me ditë të tëra. Bëhet fjalë për vaksinën MRP, të cilët prindërit e lidhin me autizmin, mirëpo është vaksinë, e cila merret në periudhën kur veç më autizmi i shfaq simptomat e para dhe për atë arsye prindërit mendojnë se vetëm vaksina mund ta shkaktojë atë. Mirëpo, vaksina nuk ka asnjë lidhje se janë bërë shumë studime shkencore, që e vërtetojnë të kundërtën, kurse tek populli ynë ende është ajo pikëpyetja se mos vallë është prej vaksinës. Autizmi shfaqet qysh prej lindjes, mirëpo simptomat e para që i shfaq spektri autik është në periudhën kur duhet të merret edhe vet vaksina.”, - theksoi pediatri, Harkan Memedi.
Sipas autoriteteve shëndetësore në komunat e Shkupit Qendër, Karposh dhe Aerodrom, rreziku i rishfaqjes së një epidemie të fruthit është rritur, sepse përfshirja e imunizimit të fëmijëve me vaksinën MRP është më pak se 60 për qind. Ka edhe vendbanime ku imunizimi është mbi 90 për qind, gjë që tregon se prindërit u besojnë vaksinave.
VLORA LATIFI TOPOJANI
