Rajon

Kosova, e fundit në rajon për lirinë e shprehjes, reagon Asociacioni i Gazetarëve dhe opozita

02.05.2025 14:44

Kosova ka shënuar rënien në indeksin vjetor për lirinë e shtypit të organizatës Reporterët pa Kufij...

Kosova ka shënuar rënien në indeksin vjetor për lirinë e shtypit të organizatës Reporterët pa Kufij, duke u renditur në vendin e 99-të në botë nga 180 shtete. Kosova ka shënuar rënie për 24 pozita, pasi që nga vendi i 75-të, ku ishte në vitin 2024, ka rënë në vendin e 99-të në botë, duke u renditur në vendin e fundit në Ballkanin Perëndimor dhe Bashkimin Evropian. Kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Xhemajl Rexha, e ka cilësuar si shokues renditjen e Kosovës në indeksin e lirisë së shtypit, duke u radhitur e fundit në rajon.
 
“Ky është një alarm i jashtëzakonshëm. Një rangim shokues, vendi i fundit më së keqi në Ballkanin Perëndimor, dhe renditen disa prej arsyeve kryesore, duke përfshirë Ligjin kontestues të KPM-së, që e kemi kundërshtuar nga fillimi, por që ishte miratuar nga mazhoranca në korrik të vitit të kaluar. Fushatat denigruese ndaj gazetarëve, sidomos me togfjalëshin e njohur që janë bashkëpunëtorë të armikut, dhe të njëjtat po zhvillohen edhe sot pas publikimit të raportit. Tjetër element është mungesa e pavarësisë së RTK-së. Siguria e gazetarëve mbetet problem. Përmendet në këtë raport rritja e padive SLAPP dhe vëzhgimi i paautorizuar i gazetarëve.”, - deklaroi kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Xhemajl Rexha.                                                                                                            
I pyetur nga gazetarët në Kosovë rreth raportit të organizatës Reporterët pa Kufij, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk ka preferuar të përgjigjet.
 
Por, PDK-ja opozitare, duke reaguar për rënien e Kosovës në vendin e 99-të në raportin e Reporterëve pa Kufij për lirinë e shprehjes, ka akuzuar Qeverinë e udhëhequr nga Vetëvendosje për regjim linçimi dhe frikësim të gazetarëve.
 
“Një rënie e turpshme, dramatike dhe alarmante: nga vendi 56 në vitin 2023, në vendin 75 në vitin 2024, për të përfunduar sot në vendin e 99-të! Dhe raporti nuk lë asnjë dyshim: për këtë katandisje është përgjegjëse qeveria e Vetëvendosjes. Ata që erdhën në emër të ndryshimit, po e katandisin Kosovën në vend të frikës dhe heshtjes. Këtë rënie e kemi ndjerë të gjithë. E kanë ndjerë gazetarët që janë sulmuar. E kanë përjetuar qytetarët që janë linçuar. E kanë përballuar aktivistët dhe profesionistët që janë shpifur publikisht vetëm pse guxojnë të mendojnë ndryshe. Rënia e nivelit të lirisë së mediave nuk është rrëshqitje, por rrënim i qëllimshëm.”, - u shpreh Blerta Deliu Kodra nga PDK.                                                                            
Edhe LDK-ja opozitare ka thënë se Qeveria e kaluar e drejtuar nga Lëvizja Vetëvendosje është shkaktare që  Kosova është radhitur 24 pozita më poshtë në Indeksin Botëror të Lirisë së Shtypit nga Reporterët pa Kufij.
 
GYLTENE SINANI