Maqedoni
Protestë në Kopshtin Zoologjik, të punësuarit prej 45 ditësh nuk kanë marrë paga
02.05.2025 15:15
Nuk protestojmë kundër askujt, por për shkak se nuk kemi marrë pagë tashmë prej 45 ditësh...

Nuk protestojmë kundër askujt, por për shkak se nuk kemi marrë pagë tashmë prej 45 ditësh, u tha në protestën e punonjësve të Kopshtit Zoologjik të Shkupit. Nga Sindikata njoftojnë gjithashtu se që nga dje të punësuarit nuk kanë më as sigurim shëndetësor, gjë që e vështirëson sidomos situatën e punonjësve që aktualisht janë në pushim mjekësor. Ata kërkojnë një zgjidhje të menjëhershme për problemin. Përndryshe, paralajmëruan radikalizim të protestave dhe grevë.
“Kërkojmë pagën që na takon dhe duhet të na japin. Afate nuk japim, por situata është bërë vërtet e padurueshme. Bankat, përmbaruesit filluan të kërkojnë, telefonat na kanë ndalur, ju e dini si funksionon ky shtet.”, - tha një protestues.
“Kopshti Zoologjik tashmë prej kohësh është bërë një arenë përplasjesh dhe llogarish politike, nuk dua të them ndonjëri në veçanti, por në përgjithësi të gjithë faktorëve politikë. Puna jonë nuk është e lehtë. Jemi gjithë kohës jashtë, në të gjitha kushtet e motit.”, - tha një protestues tjetër.
Kryetari i Sindikatës për Arsim, Shkencë dhe Kulturë, Joakim Nedellkov, kërkon takim urgjent me drejtorin e këtij institucionit, Zoran Popov, dhe nuk përjashton mbylljen e Kopshtit Zoologjik.
“Absolutisht është irelavante se cila është arsyeja, situata faktike është shumë me rëndësi, pra me rëndësi është që të punësuarit në Kulturë edhe për Pashkë kaluan pa rroga,këtë festë e pritën me vështirësi dhe kjo vështirësi në Kopshtin Zoologjik vazhdoi edhe për festat e 1 Majit dhe durimi i këtyre njerëzve është në fund.”, - theksoi kryetari i Sindikatës për Arsim, Shkencë dhe Kulturë, Joakim Nedelkov.
Sipas ushtruesit të detyrës së drejtorit të institucionit, Zoran Popov, fajin për vonesën e pagesës e ka Ministria e Kulturës dhe jo menaxhmenti. Ai informon se nga ministria ka marrë, siç thotë, udhëzime për një përllogaritje të paligjshme të pagës mujore, në kundërshtim me marrëveshjen kolektive. Ndërsa ministri i Kulturës, Zoran Lutkov, njofton se ende nuk e ka marrë përllogaritjen e pagës nga Kopshti Zoologjik, e cila më pas duhet të dërgohet në Ministrinë e Financave për pagesën përfundimtare.
FARIJE DAUTI BAKIJU
