Maqedoni

Mickoski: Gjendja në Qeveri është e shkëlqyeshme

02.05.2025 15:23

Mickoski deklaroi se gjendja në koalicionin qeveritar është e shkëlqyeshme....

Pavarësisht përçarjeve në koalicionin VLEN, kryeministri, Hristijan Mickoski, deklaroi se gjendja në koalicionin qeveritar është e shkëlqyeshme. Ai konfirmoi gjithashtu se së shpejti do të zhvillojë një takim me Arben Taravarin.
 
“Së shpejti do të kemi takim me Taravarin. Gjendja në Qeveri është e shkëlqyeshme.”, - theksoi kryeministri i RMV-së, Hristijan Mickoski. 
 
Takim i paralajmëruar mes Mickoskit dhe Taravarit, Ahmeti: Bashkëpunimi me Taravarin shqyrtohet vetëm nëse del nga Qeveria
 
Ndërkohë, lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, foli në lidhje me ndryshimet eventuale në Qeveri. E vlerësoi si “hap të guximshëm” qëndrimin e Taravarit, për të cilin tha se ka kuptuar që kjo Qeveri është antishqiptare. Ahmeti shtoi se nëse Taravari largohet nga Qeveria, do të shqyrtohet mundësia për bashkëpunim.
 
“Do të thirren të gjitha palët e Frontit dhe do të shqyrtohet tjetër situatë. Sigurisht, ne e vlerësojmë hapin e guximshëm të Taravarit, që e ka kuptuar shumë herët që kjo qeveri nuk është asgjë më shumë sesa një qeveri antishqiptare. Akoma nuk është ndërtuar një strategji në këtë drejtim. Ai mund edhe të largohet. Po këto janë çështje të Taravarit. Nuk janë çështje të Bashkimit Demokratik për Integrim, as të Frontit Evropian, janë çështje të brendshme, që zoti Taravari do t’i drejtojë dhe do t’i menaxhojë.”, - deklaroi kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
 
Brenda javës, BDI pritet të thërrasë organet më të larta të partisë për të mbajtur një mbledhje, ku do të shqyrtohen zhvillimet e fundit politike. Ndërkohë, pritet edhe takimi mes kryeministrit Hristijan Mickoski dhe ministrit të Shëndetësisë, Arben Taravari. Nga ky takim pritet të sqarohet, nëse krahu i Aleancës për Shqiptarët, i udhëhequr nga Taravari, do të vazhdojë të jetë pjesë e Qeverisë apo do të tërhiqet.
 
ARMEND MURSELI