Maqedoni

Liria e mediave, “Reporterët pa kufij”, RMV-ja shënon rënie, reagojnë partitë dhe ShGM-ja

02.05.2025 15:47

Vlerësimi i Indeksit të Lirisë së Shtypit të “Reporterëve pa Kufij”, e zbret Maqedoninë e Veriut për gjashtë vende më poshtë...

Vlerësimi i Indeksit të Lirisë së Shtypit të “Reporterëve pa Kufij”, e zbret Maqedoninë e Veriut për gjashtë vende më poshtë, nga vendi i 36-të në të 42-tin dhe po ashtu vendi ynë bie në grupin e vendeve me situatë të përgjithshme, “të kënaqshme”. Sipas këtij raporti, edhe pse gazetarët nuk punojnë në një mjedis armiqësor, dezinformimi i përhapur dhe mungesa e profesionalizmit kontribuojnë në rënien e besimit të shoqërisë në media, gjë që ekspozon mediat e pavarura ndaj kërcënimeve dhe sulmeve.
 
Për më tepër, zyrtarët qeveritarë priren të kenë qëndrime të dobëta dhe nënçmuese ndaj gazetarëve, thuhet në raport. Për Shoqatën e Gazetarëve të Maqedonisë, raporti i “Reporterëve pa Kufij” është një portretizim i gjendjes reale të mediave dhe nevojës për reforma.
 
“Këto të dhëna, sipas Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë, përfaqësojnë një sinjal të qartë për institucionet se janë të nevojshme reformat urgjente dhe të koordinuara për të forcuar sektorin mediatik dhe për të përmirësuar pozitën e gazetarëve.”,  thuhet në reagimin e ShGM-së.
 
Pas publikimit të këtij vlerësimi mbi lirinë e mediave, vijnë reagimet e partive politike. Për BDI-në, kjo analizë nxjerr në pah dobësi të mëdha nga konteksti politik dhe korniza ligjore, si dhe presionet  e gazetarëve.
 
“Ajo që shqetëson më shumë është se raporti identifikon qartë ekzistencën e disa sistemeve mediatike paralele, të lidhura drejtpërdrejt me qendra politike dhe ekonomike të pushtetit, të cilat ndikojnë në politikën redaktuese dhe minojnë besimin e qytetarëve.”, thonë nga BDI.
 
Për LSDM-në, rënia e lirisë së shtypit vjen pas tetë viteve. Me ardhjen e VMRO-së iku liria e mediave, pohojnë nga opozita maqedonase.
 
“Reporterët pa Kufij” alarmojnë se gazetarët janë të ekspozuar ndaj kërcënimeve dhe sulmeve, ndërkaq  zyrtarët e Qeverisë  tregojnë qëndrime poshtëruese ndaj punonjësve të medias. Në vend që të avancojë standardet demokratike, Qeveria e udhëhequr nga DPMNE po i kthen metodat e njohura të kontrollit, presionit dhe frikës.”, - deklaroi Bogdanka Kuzeska nga LSDM.
 
E ndërkohë për VMRO-DPMNE-në kjo rënie e lirisë së shtypit është për shkak të lajmeve të rreme që fabrikohen nga LSDM-ja.
 
“Rënia e indeksit të “Reporterëve pa Kufij” është kryesisht për shkak të përhapjes së lajmeve të rreme dhe dezinformatave. Fabrika kryesore për lajme të rreme dhe dezinformata, në mungesë të politikave konstruktive, është LSD-ja dhe Venko Filipçe.”, thuhet në komunikatën e VMRO-DPMNE-së.
 
Klasifikimi i “Reporterëve pa Kufij” mbulon 180 vende anembanë botës.
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU