Botë

Vazhdojnë bombardimet izraelite në Gazë, dhjetëra të vrarë dhe shumë të plagosur

02.05.2025 16:15

Avionët izraelitë bombarduan disa zona në të gjithë Rripin e Gazës...

Avionët izraelitë bombarduan disa zona në të gjithë Rripin e Gazës, duke vrarë dhjetëra palestinezë dhe duke plagosur shumë të tjerë. Të plagosurit u dërguan në spital. OBSh-ja dënoi situatën e tmerrshme që po zhvillohet në Gazë. Majk Rajan, zyrtar i lartë i kësaj Organizate, shprehu zemërim se bota lejon me indiferencë që "tmerri" të vazhdojë.
 
"Ne duhet të pyesim veten: Sa gjak është i mjaftueshëm për të përmbushur cilat do qofshin objektivat politike. Po i shkatërrojmë trupat dhe mendjet e fëmijëve të Gazës. Po i lëmë fëmijët e Gazës të vdesin nga uria, sepse nëse nuk bëjmë diçka për këtë, jemi bashkëfajtor në atë që po ndodh.”, - deklaroi drejtori i Emergjencave të OBSh-së, Majk Rajan.
 
Izraeli gjatë natës ka sulmuar edhe anijet e ndihmës humanitare me destinacion Gazën, me 21 persona në bord, duke e pamundësuar dërgesën e ushqimit. Bordi i anijes me anija u shpëtua nga autoritetet e Maltës.
 
“Mbrëmë, pak pas mesnatës, kjo anije, e cila ndodhej në ujërat ndërkombëtare pranë Maltës, u sulmua. Pati një sulm të paprovokuar me dy dronë, i cili çoi në një shpërthim, që shkaktoi dëme të konsiderueshme në anije, duke e bërë të pamundur vazhdimin e saj. Tani për tani, nëse anija vazhdon, do të përthithë aq shumë ujë sa do të fundoset, që do të thotë se kjo, e cila ishte një përpjekje e mëtejshme për të sjellë ndihmë në Gazë, nuk do të jetë në gjendje të marrë ndihmën që është kaq urgjentisht e nevojshme.”, - theksoi aktivistja e klimës, Greta Thunberg.
 
Izraeli kontrollon rreptësisht të gjitha hyrjet e ndihmës ndërkombëtare, jetike për 2.4 milionë palestinezë në Rripin e Gazës. OKB-ja i bën thirrje Izraelit që ta heqë bllokadën.
 
“U bëjë thirrje autoriteteve izraelite që të heqin këtë bllokadë brutale dhe t'i lënë humanitarët të shpëtojnë jetë. Në terren, kolegët tanë, paralajmërojnë se operacionet humanitare vazhdojnë të pengohen nga kufizimet e ashpra të lëvizjes brenda Gazës, si dhe nga aktiviteti dhe sulmet ushtarake që rrezikojnë sigurinë e punonjësve të ndihmës dhe ambienteve të tyre.”, - u shpreh zëdhënësi i OKB-së, Stefan Dujarric.
 
Izraeli ndaloi shpërndarjen e ndihmës në Gazë më 2 mars, disa ditë para rënies së një armëpushimi që kishte ulur ndjeshëm armiqësitë pas 15 muajsh luftë. Aktualisht në Gazë, përveç nga bombardimet, njërëzit vdesin edhe nga uria.
 
FARIJE DAUTI BAKIJU