“Njerëzit në Gaza po vrasin njëri-tjetrin për ujë”, alarmon OKB
Luftimet po shpërthejnë në Gaza pasi furnizimet me ushqime po mbarojnë...

Luftimet po shpërthejnë në Gaza pasi furnizimet me ushqime po mbarojnë, ka njoftuar një zyrtar i Kombeve të Bashkuara, ndërsa bllokada totale e linjave të furnizimit të Gazës nga Izraeli hyn në ditën e saj të 60-të.
Që nga 2 marsi, Izraeli ka ndërprerë plotësisht furnizimet për 2.3 milionë banorët e Rripit të Gazës dhe rezervat ushqimore të grumbulluara gjatë një armëpushimi në fillim të këtij viti janë zhdukur.
Bëhet e ditur se kjo është bllokada më e gjatë me të cilën është përballur ndonjëherë Rripi i Gazës.
Palestinezët dhe zyrtarët e ndihmës thanë se të paktën pesë grabitje kishin ndodhur në të gjithë enklavën ditën e kaluar.
Olga Cherevko, një punonjëse me zyrën humanitare të OKB-së (OCHA) në qytetin e Gazës, tha se dhuna në komunitet mbi furnizimet ishte rritur.
Ajo u tha gazetarëve se ishte dëshmitare e një përleshjeje të tillë.
“Furnizimet janë duke u pakësuar ndërsa lufta është ndezur, furnizimet ushqimore tani kryesisht janë zhdukur”, tha ajo në një konferencë shtypi në Gjenevë.
“Qasja në ujë është bërë e pamundur. Në fakt, ndërsa po flas, këtu poshtë, përballë këtij pallati, njerëzit po luftojnë për ujë. Sapo ka ardhur një kamion uji dhe njerëzit po vrasin njëri-tjetrin për ujë”, shtoi Cherevko.
Ndryshe, disa grupe ndihmash thonë se u kanë mbaruar furnizimet ushqimore gjatë javës së kaluar dhe se kuzhinat janë në rrezik të mbylljes.
Edhe Kryqi i Kuq ka deklaruar se përgjigja humanitare në Gaza është në prag të kolapsit të plotë.
