Ukraina refuzon propozimin rus për armëpushim 3 ditorë

03.05.2025 13:50

Ukraina ka hedhur poshtë propozimin e presidentit rus, Vladimir Putin...

Ukraina ka hedhur poshtë propozimin e presidentit rus, Vladimir Putin, për armëpushim tre-ditor me rastin e Ditës së Fitores, 9 maji.

Shefi i Kremlinit nuk mund të garantojë sigurinë e udhëheqësve botërorë, thotë Kievi zyrtar, duke kërkuar që SHBA-të, të rrisin presionin mbi Moskën për të pranuar një armëpushim sipas kushteve të presidentit amerikan, Donald Trump.

“Rusia vazhdon të refuzojë një armëpushim të plotë dhe afatgjatë. Partnerët tanë janë tashmë të lodhur nga manipulimet ruse. Ne po mbrojmë pozicionet tona dhe do të veprojmë në përputhje me rrethanat, si në vijën e frontit, ashtu edhe në veprimet tona në territorin rus. Lufta duhet të ndjehet atje, prej ku filloi fillimisht” – tha Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

Derisa Putini refuzon të bëjë lëshime, Uashingtoni ka njoftuar se po përgatit sanksione të reja ekonomike për të ushtruar presion mbi Kremlinin, megjithëse është e pasigurtë, nëse Trump do t'i nënshkruajë ato.

Poashtu Pentagoni njoftoi se Departamenti i Shtetit ka miratuar një paketë prej 310 milionë dollarësh për trajnimin dhe mirëmbajtjen e avionëve luftarakë F-16 për Ukrainën, si dhe pajisjet përkatëse.

Ndërkohë kanë vazhduar sulmet ruse me dronë në Harkiv, nga të cilat janë lënduar të paktën 47 persona. Forcat Ajrore ukrainase thanë se forcat ruse kanë sulmuar me 183 dronë gjatë natës. 

Edhe Ministria ruse e Mbrojtjes ka njoftuar se forcat e saj kanë rrëzuar 170 dronë ukrainas gjatë natës. Në jug të Rusisë, katër persona u plagosën gjatë një sulmi me dronë në Novorosijsk. (Vlora Latifi - Topojani, TVM2)