Kostadinovski vendimi për gjuhën shqipe pas zgjedhjeve lokale

03.05.2025 14:16

Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski...

Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski, ka bërë të ditur se seanca përgatitore për Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve do të mbahet më 19 qershor, ndërsa vendimi përfundimtar do të merret pas zgjedhjeve lokale.

BDI i reagon Gjykatës Kushtetuese, po rrënoni themelet e barazisë ndëretinke

Ndrëkohë nga BDI kanë dalur me kritika në adresë të Gjykatës Kushtetuese, e cila sipas kësaj partie e ka braktisur misionin e saj si institucion i pavarur dhe i njejti po rrënon themelet e barazisë ndëretnike dhe Marrëveshjen e Ohrit.

“Deklaratat publike të Kryetarit të kësaj gjykate, që minimizojnë problemet ndëretnike dhe i paraqesin ato si “mjet për qëllime politike”, janë jo vetëm të papërgjegjshme, por edhe thellësisht të rrezikshme. Ato synojnë ta zhvendosin vëmendjen nga diskriminimi sistematik që ende ekziston dhe të mbulojnë ofensivën institucionale kundër të drejtave të fituara me gjak dhe sakrificë. Gjykata Kushtetuese nuk po fshihet më pas neutralitetit – ajo po vepron si zgjatim parapolitik i pushtetit aktual. Paralajmërimi se vendimi për Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve do të merret pas zgjedhjeve, nuk është rastësi, por pjesë e një plani të mirëorkestruar për të ruajtur përkohësisht projektin e tyre politik te shqiptarët me kuazipërfaqësues pa legjitimitet, e që më pas për të goditur të gjitha arritjet e fituara përmes Marrëveshjes së Ohrit. Zërat që prej kohësh flisnin për një marrëveshje mes Qeverisë dhe Gjykatës për ta rrëzuar ligjin pas zgjedhjeve, tashmë po marrin formën e faktit të kryer. Këto zhvillime zbulojnë një të vërtetë të hidhur: barazia dhe bashkëjetesa janë vënë në shënjestër nga vetë institucionet që duhet t’i mbrojnë ato. Zgjedhjet e ardhshme nuk janë më thjesht zgjedhje – ato janë referendum për gjuhën shqipe, për barazinë qytetare dhe për orientimin e shtetit tonë. A do të jetë ky një shtet i të gjithë qytetarëve apo një regjim i maskuar që përdor drejtësinë për të shtypur identitetin dhe të drejtat e shqiptarëve?”, pyesin nga BDI.

VLEN, dështoi plani i BDI-së për destabilizim

Por në një reagim të VLEN, thuhet se dështoi plani i Ali Ahmetit dhe Bujar Osmanit për destabilizim përmes Gjykatës Kushtetuese.

“BDI është e mërzitur sepse iu dështoi plani për ta shfuqizuar Ligjin për Gjuhët dhe me këtë për ta destabilizuar shtetin.  Plani i Ali Ahmetit dhe Bujar Osmanit, përmes gjykatësve të emëruar prej tyre në Gjykatën Kushtetuese, për ta rrezikuar gjuhën shqipe në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe për ta destabilizuar vendin, dështoi para se të merrte hov.  Bujar Osmani, si fillestar në politik dhe pa kredibilitet, nuk po arrin ta fshehë zhgënjimin e tij. BDI ishte e gatshme ta flijojë gjuhën shqipe vetëm për një qëllim të ulët: Të rikthehet në pushtet me çdo kusht.

Mos u shqetësoni: Gjuha shqipe nuk negociohet! VLEN nuk do ta lejojë asnjë hap prapa në të drejtat e shqiptarëve! Mashtrimet kanë marrë fund. Për dy dekada, BDI i ka bërë gjërat në mënyrë gjysmake, për sy e faqe, duke hedhur hi syve të opinionit shqiptar dhe duke e përdorur çështjen kombëtare për pazare personale e partiake. Zgjedhjet e ardhshme lokale nuk janë më thjesht zgjedhje. Ato janë REFERENDUM për gjuhën shqipe, për barazinë e shqiptarëve në këtë shtet dhe për vulosjen përfundimtare të BDI-së si parti Non Grata dhe si "organizatë" e interesave të ngushta personale!”, thuhet në reagimin e VLEN. (Florije Beluli – Kamberi, TVM2)