Tetovë-Gostivar, vihet gurthemeli për ndërtimin e autostradës
Është vënë gurthemeli për ndërtimin e seksionit...

Është vënë gurthemeli për ndërtimin e seksionit të parë të autostradës Tetovë-Gostivar, me gjatësi 17.5 kilometra. Ky seksion i koridorit 8, do të arrijë koston prej 90 milion eurove, ndërsa është e paraparë të përfundojë në vitin 2027.
Në të dy drejtimet do të ndërtohen nga 3 korsi, prej të cilave njëra është për ndalim. Ministri i Trasnportit dhe Lidhjeve, Aleksandar Nikollovski, tha se deri në muajt e verës do të fIlloj të punohet edhe në koridoret 8 dhe 10 në gjatësi prej 65 kilometrash.
Për më pak se 1 vit janë shpronësuar 2497 parcela, që nënkupton se punimet do të zhvillohen pa pengesa, theksoi Nikollovski.

“Rrugën në anën e djathtë të gjithë ne në të kaluarën e quanim autostradë, por ajo nuk ishtë autostradë, por një rrugë e shpejtë. Për dy vite e gjysmë prej tani, do të kemi autostradë sipas të gjitha rregullave dhe standarteve, ashtu siç e meritojnë qytetarët e Pollogut dhe ata nga i gjithë shteti.” – u shpreh Ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Aleksandar Nikollovski.

Kryeministri Hristijan Mickovski deklaroi se qeveria e tij nuk flet, por ndërton për përmirësimin e standartit të qytetarëve.
“Si asnjëherë më parë shteti është një kantier i madh ndërtimi. Imagjinoni, në një moment më shumë se 1200 lokacione do të ndërtohen. Më thoni, kur në histori ka ndodhur kjo në atdheun tonë të përbashkët? Si Qeveri, vazhdojmë të fokusohemi në vlerën e shtuar të cilësisë së jetës së qytetarëve tanë. Nuk ka dëshmi më të mirë nga kjo që sot e shohim të gjithë dhe e ndërtojmë.” – deklaroi Kryeministri i vendit, Hristijan Mickoski.

Zv.Kryeministri i parë, Izet Mexhiti, u shpreh se Koridori 8 është një arterie evropiane që e lidh zemrën e Ballkanit.
“Vendimi ynë strategjik është i qartë. Maqedonia përfundon seksionin e saj, e sjellë Evropën në Ballkan dhe Ballkanin në Evropë. Me fillimin e kësaj autostrade, ne po shndërrojmë rajonin e Pollogut në udhëkryq të mundësive, investimeve, vendeve të punës. Po shkrurtojmë rrugën midis Shkupit, Ohrit dhe Strugës dhe po afrojmë kufirin me Qafë Thanën me çdo shtëpi tonën, me çdo ide biznesi” – deklaroi Zv.Kryeministri i parë i vendit, Izet Mexhiti.

Ambasadorja amerikane, Angela Ageler, theksoi se partnerët janë të rëndësishëm jo vetëm për tregtinë, por edhe për avansimin e infrastrukturës.
“E rëndësishme është që të zgjidhen partnerët adekuat për veprimtari të caktuara. Mua më vjen mirë që ne dhe qeveria e Maqedonisë zgjodhëm, populli jonë dhe të gjithë miqtë tanë të jenë partner në këtë rrugë.” – tha Ambasadorja e SHBA-ve në RMV, Angela Ageler.
Autostrada do të ketë 9 mbikalime, prej të cilave 8 janë për lidhjen me rrugët lokale, 1 është për lidhjen e re në Komunën e Bogovinës dhe Komunën e Vrapçishtit. (Florije Beluli-Kamberi, TVM2)
