LSM kërkon pagë minimale 500 euro, Trendafillov: Nuk ka negociata me Qeverinë
Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë...

Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë insiston në rritjen e pagës minimale në 500 euro dhe rritjen e të gjitha rrogave të tjera për 100 euro. Kjo ishte kërkesa e sindikalistëve edhe në protestën e organizuar në Ditën e Punëtorëve - 1 maji. Duke theksuar se pagat në vend janë më të ulëtat në rajon. Por, deri më tani një kërkesë e tillë nuk ka hasur në mirëkuptimin e qeverisë dhe odave ekonomike.
Kryetari i LSM-së, Zoran Trandafilov, thotë se për momentin nuk ka asnjë përparim në negociata me Qeverinë, pasi vlerësojnë se nuk ka sindikatë reprezentative.
"Për fat të keq, për momentin nuk po zhvillohet asnjë negociatë, sepse Qeveria jep arsyetimin se sindikata është joprezentative. Ne jemi të hapur si partner social, të bisedojmë në çfarëdo kohe, me cilindo përfaqësues apo punëdhënës, apo përfaqësues të Qeverisë. E shohim se nuk ka ndonjë dëshirë për t'i rritur rrogat dhe prandaj i ikin bisedimeve për negociata me përfaqësuesit e punëtorëve. Ne në tre javët e fundit dolëm 2 herë në rrugë për të protestuar. Para 3 javëve dolën përfaqësuesit dhe kompetentët e LSM-së, 300 pjesëmarrës, të cilët sollën disa vendime para Kuvendit, Odës Ekonomike, Qeverisë. Për fat të keq nga pala hasëm në vesh të shurdhër për kërkesat tona.” – tha Kryetari i LSM-së, Zoran Trendafillov.
Ministria e Ekonomisë, presim të caktohen përfaqësuesit e sindikatave
Sipas Ministrisë së Ekonomisë, procesi për fillimin e negociatave nuk ka filluar për shkak të skadimit të përfaqësimit të sindikatës, por aktualisht është duke u zhvilluar procedura për përcaktimin e përfaqësimit të saj.
"Pasi të përcaktohet se kush është perfaqësuesi, do të thërrasim një seancë të KES-it. Në përputhje me ligjin, Qeveria është e detyruar të përcaktojë nivelin e pagës minimale jo më vonë se 31 marsi. Paga minimale u rrit në përputhje me Ligjin me 1800 denarë dhe u paguan me pagat e muajit mars. Lidhur me kërkesat e Sindikatave, siç dihet mirë, Qeveria do të pranojë çdo marrëveshje midis sindikatave dhe punëdhënësve, sapo ajo të arrihet në kuadër të dialogut ekonomik dhe social. Qeveria mbetet partnere e punëtorëve dhe punëdhënësve dhe është e gatshme për dialog në çdo kohë.”,- thuhet në komunikatën e Ministrisë së Ekonomisë.
Megjithatë, sindikatat në vend nuk janë unike në kërkesat e tyre, e sidomos në thirrjen për protesta. Kryetari i Konfederatës së Sindikatave të Lira, Bllagoja Ralpovski, ditë më parë ka deklaruar se nuk ka nevojë për protesta të punëtorëve, pasi dialogu social është në nivelin e duhur dhe po punohet për përmirësimin e standardit jetësor të qytetarëve.
Ndërsa kryeministri, Hristijan Mickoski, ka deklaruar se LSM-ja e ka ndryshuar qëndrimin e saj rreth pagës minimale, pasi fillimisht kishte dalë me propozim për 400 euro pagë minimale, por kur panë se ligjërisht do të arrihej paga minimale prej 400 eurosh, ata kërkuan që paga minimale të rritet në 500 euro.
Qeveria së fundmi vendosi për rritjen e pagës minimale për 1.812 denarë. Me këtë rritje, paga minimale në vend prej muajit prill do të jetë 24 mijë denarë. (Fitore Demolli, TVM2)
