Vuçiq ndërpret vizitën në SHBA për shkaqe shëndetësore

03.05.2025 16:25

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq...

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka ndërprerë vizitën në SHBA pasi i është përkeqësuar gjendja shëndetësore.

Sipas mediave serbe pas kontrollit mjekësor, presidenti serb ka marrë vendimin që të ndërpresë vizitën dhe të kthehet në Serbi.

Ngjarja ka ndodhur në orët e hershme të pasdites.

Nga kabineti i presidentit të Serbisë është bërë e ditur se opinioni do të informohet më në detaje në ditët në vijim. Në momentin kur i është përkeqësuar gjendja, Vuçiq ndodhej në shoqërinë e ministrit të Financave, Sinisha Mali, dhe këshilltares për media, Suzana Vasiljeviq. Të tre po përgatiteshin për takimet e ardhshme pas një takimi me kongresisten Claudia Tenney, Rod Blagojevichin dhe sipërmarrës serbë në SHBA.

Vuçiq kishte udhëtuar drejtë SHBA-ve më 30 prill, dhe kishte planifikuar të takohej me zyrtarë të lartë të Partisë Republikane, si dhe me presidentin amerikan, Donald Trump.

Vizita e Vuçiqit në SHBA po zhvillohej disa ditë para se ai të merrte pjesë në Ditën e Fitores në Moskë më 9 maj. Kjo vizitë e paralajmëruar e tij në Rusi është kritikuar nga zyrtarët e Bashkimit Evropian.