Maqedoni

Thaçi: Qeveria dështoi në menaxhimin e situatës

12.05.2015 15:28

Partia Demokratike Shqiptare ka akuzuar qeverinë për mosefikasitet në parandalimin e situatës...

Partia Demokratike Shqiptare ka akuzuar qeverinë për mosefikasitet në parandalimin e situatës, ndërsa ka kërkuar nga Qeveria po ashtu që kompensimi i dëmeve të familjeve të bëhet sa më shpejtë edhe atë qind për qind.
 
“Janë humbur me dhjetëra jetë janë plagosur shumë njerëz është një situatë vërtetë e vështirë dhe skizofrenike po ashtu siç thamë edhe në komunikatën publike, vlerësoj se Qeveria nuk ka bë aq sa duhet që ta parandalojë eskalimin e kësaj situate. Jam këtu për të thirr në qetësi sepse kjo nuk na shkon në llogari të gjithë shqiptarëve si në Maqedoni dhe në vende tjera. Mendoj se duhet ti kthehemi një dialogu shumë serioz politik për zgjidhjen e problemeve të shqiptarëve por po ashtu edhe prioriteti të ngel procesi integrues në NATO dhe BE”, tha Menduh Thaci-Kryetari i PDSH-ës
 
 
Thaci po ashtu ka porositur popullatës shqiptare që të mos bien pre e dezinformatave të portaleve apo personave të pandërgjegjshëm, duke u shprehur se kjo situatë nuk shkon në favor të shqiptareve.
 
Ai kërkoi  dialog  të mirëfilltë mes shqiptarëve dhe maqedonasve ku parësore do të jenë kërkesat e shqiptarëve dhe normalizimin e situatës, duke u kthyer në rrugën e eurointegrimeve të shtetit, që është edhe strategji dhe plan i Maqedonisë.
 
“Situata është shumë serioze dhe në asnjë mënyrë shqiptarët mos bëhen pre e disa shqipfolësve apo në thonjëza shqiptarëve të ndershëm që punojnë për gjithkënd e assesi për shqiptarët, qëllimi i tyre është që shqiptarët ti bëjnë mish për top në betejën mes partive maqedonase. Ne nuk kemi asgjë të përbashkët si shqiptarë me agjendën e partive maqedonase, deklaroi Thaci.
 
Thaçi këto komente i bëri në takimin e sotëm me gazetarët, ku ka foluar mbi situatën politike dhe të sigurisë pas konfliktit të armatosur në Kumanovë.
 

VISAR SADIKI