Analistët: Lëvizja e Taravarit mund të shkaktojë krizë në VLEN dhe Qeveri
Mospasja e një qasjeje mbarëkombëtare...

Mospasja e një qasjeje mbarëkombëtare dhe strategjie të përbashkët për mbrojtjen e interesave kombëtare është shkak i përçarjes së partive politike shqiptare në pushtet. Kështu vlerëson profesori universitar, Bashkim Selmani, sipas të cilit, lëvizjet e fundit të Arben Taravarit janë fillim i krizave të mëtejshme.
“Pikërisht me veprimet e z.Travarit, fatkeqësisht kjo qeveri mori goditjen e parë morale dhe çështjeve me të cilën siç duket aktualisht nga kjo sprovë dhe nga ky test do të shihet në të ardhmen se si këto ndryshime vallë ndodhin nga vetë interesat e subjekteve politike apo janë derigjimet e jashtme apo nga vetë z.Mickoski, i cili vazhdimisht vendos se çfarë veprimesh mëtutje duhet të marrin subjektet politike shqiptare dhe kjo neve na zemëron si qytetarë.” – thotë Profesori Universitar, Bashkim Selmani.
Por, a do të qendrojë ose jo brenda koalicionit qeveritar, ASh-ja e Arben Taravarit, sipas Selmanit, kjo do të varet ekskluzivisht nga kryeministri, Hristijan Mickoski.
Në të njëjtën vijë është edhe analisti politik, Petar Arsovski, i cili vlerëson se ajo që nisë Taravari do të shkaktojë jo vetëm lëkundje politike brenda për brenda koalicionit qeveritar, por me kalimin e kohës, sipas tij, mund të shkaktojë edhe zgjedhje të parakohshme parlamentare.
“Për momentin hapi i Taravarit shkakton qarqe koncentrike krizash. Kriza e parë ka të bëjë me koalicionin VLEN, e cila kushtimisht thënë u lëkund, me atë që Taravari u shkëput nga ajo, ndërkohë partitë tjera që mbeten në kuadër të VLEN-it, formuan parti të vetën. Çështja e dytë është se a do të shkaktojë kjo krizë qeveritare, mendoj se kjo është e pashmangshme, pasi që partitë tjera në VLEN nuk do të lejojnë që Taravari të mbetet në Qeveri, jashtë koalicionit VLEN. Mendoj se kjo është çështje kohe, pasi që Mickoski nuk do të lejojë që të mbajë dikë në Qeveri, i cili teoritikisht do ta ndihmojë BDI-në. Çështja tjetër është se nëse deputetët e ASH-së e Taravarit shkëputen nga koalicioni qeverisës dhe kyçen në Frontin Evropian, diskrepanca e deputetëve do të jetë e madhe 22 ndaj 9. Por, pavarësisht kësaj që po e them unë, ne nuk e dimë se si do të përfundojnë këto lëvizje, por mendoj se do të shtojë argumentet e BDI-së që vazhdimisht e potencon, se VLEN-i janë përfaqësues jolegjitim dhe kjo nuk mund të vazhdojë gjatë kohë. Kjo nuk shkakton menjëherë krizë parlamentare, por me kalimin e kohës mundet të shkaktojë presion për zgjedhje të reja parlamentare ose për ndryshime të shumicës parlamentare.” – u shpreh analisti politik, Petar Arsovski.
Të gjitha këto çështje pritet të sqarohen pas takimit që kryeministri Hristijan Mickoski duhet të realizojë me partnerët shqiptarë në Qeveri, përfshirë edhe Taravarin.
Në ato takime pritet të shqyrtohen pozicionet e mëtejshme politike dhe të vendoset se si dhe në çfarë mënyre do të vazhdojë funksionimi i mëtejshëm i shumicës parlamentare, me apo pa Taravarin. (Rexhep Qamili, TVM2)
