Stereoptipet gjinore pengojnë fuqizimin e grave, Mero: Ndikim direkt ka patriarkalizmi i heshtur

04.05.2025 16:18

Fuqizimi ekonomik i grave lidhet drejtpërdrejtë...

Fuqizimi ekonomik i grave lidhet drejtpërdrejtë me normat shoqërore dhe stereotipet gjinore që përcaktojnë qasjen e tyre në pasurinë e përbashkët, trashëgiminë dhe ndarjen pasurore në familje.

Sipas profesoreshës Arta Mero, edhe pse këto çështje rrallë diskutohen hapur, ato janë realitet në shumicën e familjeve tona, veçanërisht në shoqëritë ballkanike ku patriarkalizmi edhe kur nuk përmendet vepron në heshtje.

“Tradita ka sunduar normat ligjore, edhe përkundër normave të rregulluara, që unë çdoherë them, kemi ligje shumë mirë të rregulluara, ne megjithatë kemi vendos që të zbatojmë këto norma tradicionale duke iu ikur edhe atyre normave fetare që janë shumë mirë të konceptuara dhe të cilat i japin një primat shumë të veçantë gruas dhe pozitës së gruas në familje dhe shoqëri. Kështu që stereotipet gjinore që po ndikojnë në defokusimin dhe në sjelljen e disa normave të reja të sjelljes dhe zhvillimit, duke përcaktuar pozitën e gruas si të nënshtruar dhe në një pozitë jo shumë të lakmueshme në aspektin e pavarësisë së saj ekonomike.” – tha Prof. Dr. Arta Mero nga Fakulteti Juridik në UEJL.

Profesoresha e të drejtës familjare dhe trashëgimisë, thekson se në aspekt të parimit të barazisë dhe njejtësisë në marrëdhëniet pasurore, ligji i trashëgimisë edhe pse duhet plotësuar dhe adaptuar me kohën, është shumë i qartë, decid dhe imperativ. Megjithatë ne shpesh marrim të drejtën që këto norma ligjore ti devijojmë dhe ti modifikojmë sipas bindjeve tona personale apo atyre shoqërore.

“Ato parimet e sheriatit janë shumë mirë të konceptuara dhe të sqaruara pse ndodhin ashtu, mirëpo t’i kthehemi të drejtës pozitive e cila thotë, të gjithë fëmijët e trashëgimlënësit, përfshirë këtu edhe bashkëshortin pasjetues, pa marrë parasysh gjininë, janë të barabartë. Atë në rendin e parë ligjor të trashëgimisë duhet ta trashëgojnë në pjesë të barabartë. Andaj institucionet, duke i përfshirë gjykatësit edhe noterët janë ata të cilët u kanë dhënë hapësirë këtyre normave tradicionale të cilat në aspektin profesional dhe zhvillimit të rrjedhshmërisë së procedurës trashëgimore është shkelje e të drejtës materiale.” – deklaroi Prof. Dr. Arta Mero nga Fakulteti Juridik në UEJL.

Sipas profesoreshës Mero, ligji ka shkuar përtej konceptit shoqëror duke vendosur barazinë si parim themelor në familje. Ai njeh dhe vlerëson kontributin indirekt në ekonominë familjare, si kujdesi ndaj fëmijëve apo mirëmabjtja e shtëpisë, duke e barazuar atë me të ardhura të drejtpërdrejta.

Megjithatë në praktikë këto parime shpesh anashkalohen. Sipas të dhënave nga UN Ëomen, vetëm 27.8% e pronave në Maqedoninë e Veriut janë të regjistruara në emër të grave, ndërsa në zonat rurale kjo përqindje bie në vetëm 4.1%. (Leunora Kaliqi, TVM2)