SPB Tetovë, nga 1 prilli deri më 3 maj 602 gjoba për keqparkim

04.05.2025 16:55

Për vetëm një muaj, Sektori i Punëve të Brendshme të Tetovës...

Për vetëm një muaj, Sektori i Punëve të Brendshme të Tetovës, ka shqiptuar 602 dënime për parkim të gabuar të automjeteve që ndikojnë në bllokimin e komunikacionit, por edhe hyrje daljeve të pallateve si dhe vendeve të parapara për taksi.

Nga SPB Tetovë apelojnë për kujdes para shkollave dhe institucioneve, ku shpesh nevojitet intervenim i automjeteve të policisë apo zjarrfikësve dhe ndihmës së shpejtë.

“Pjesëtarë të SPB Tetovë dhe ai për siguri për komunikacionin rrugor, nga 1 prilli deri ditën e djeshme, kanë shqiptuar gjithsej rreth 602 masa për keqparkim, ndërsa nga merimanga janë ngritur rreth 300 automjete, që në mënyrë direke kanë penguar qarkullimin e lirshëm në komunikacion”. – tha Zëdhënësi i SPB Tetovë, Fatmir Rexhepi.

Drejtori i Parkingjeve të qytetit, thotë se parkingje ka në Tetovë, si të mbyllura po ashtu edhe të hapura, të cilat shpesh rezultojnë të zbrazëta, ndërsa një pjesë e vozitësve të pandërgjegjshëm, preferojnë automjetet ti parkojnë nëpër rrugë.

“Ashtu siç thatë, halli më i madh në Tetovë është me parkingjet. Jo që nuk ka, ka parkingje në qytet e që janë vetëm 100-200 metra larg qendrës e ku ka shumë vende të zbrazëta, por është veti e tetovarëve ku ka nevojë mundësisht me makinën të futet edhe brenda madje në dyqan. Apeloj që të shfrytëzohen parkingjet edhe të mbyllura edhe të hapura që të mos bëhet kaos në trafik. Në ditë ka rreth 20 marrje makinash me marimangën, pra rreth 600 në muaj dhe edhe përkundër numrit të madh të dënimeve sërish e njëjta tempo vazhdon”. – deklaroi Drejtori i NP “Parkingjet e Tetovës”, Mirko Martinovski.

Pikërisht për këtë kaos që krijohet nëpër rrugët e Tetovës, në komunë, brenda javës pritet të mbahet edhe debat për studimin e kryer nga një Institut i Kosovës për komunacion.

“Javën e ardhëshme, bashkë me Institutin për planifikim, po organizojmë debatin publik për studimin e mobilitetit, në të cilin do prezantohen analizat e para të bëra, problematikat e rrugëve si dhe rikategorizimi i rrugëve. Në këtë rast do përfshihet transporti publik, parkingjet, shtigjet për biçikleta dhe gjitha problemet tjera të komunikacionit. INS është institut nga Kosova që e bën edhe planin gjeneral Urbanistik të qytetit.” – u shpreh Zëdhënësi i komunës së Tetovës, Albion Alili.

Nga ana tjetër kanë reaguar edhe këshilltarët e BDI-së, të cilët e pyesin publikisht kreun e komunës Bilall Kasami, se si është e mundur që Ndërmarrja e parkingjeve për vitin 2024 të dal me humbje prej rreth 7 milion denarësh. (Visar Sadiku, TVM2)