BDI i reagon Mickoskit, i pa aftë për udhëheqje të shtetit multietnik
Ndaj deklaratës së Kryeministrit Hristijan Mickoski...

Ndaj deklaratës së Kryeministrit Hristijan Mickoski, kanë reaguar nga BDI, nga ku thonë se Mickoski nuk mund ta fshehë paaftësinë për të udhëhequr një shtet multietnik me urrejtje dhe polarizim etnik.
Bashkimi Demokratik për Integrim shpreh shqetësim për përpjekjet e vazhdueshme të Hristijan Mickoskit për të imponuar veten si tutor i skenës politike shqiptare.
“Deklarata e tij e fundit, ku publikisht sugjeron se me kë duhet të koalicionojë Arben Taravari, është një përpjekje e rrezikshme dhe e papranueshme për të rikonfiguruar vullnetin politik të votuesve shqiptarë. Kjo është një vijë e kuqe që nuk është kapërcyer kurrë më parë – dhe që nuk do të lejohet të kapërcehet as tani.
Askush, e veçanërisht Hristijan Mickoski – një politikan që e ka ndërtuar karrierën mbi urrejtjen, përjashtimin dhe nacionalizmin – nuk ka as legjitimitet moral dhe as politik për të dizajnuar përfaqësimin politik të shqiptarëve. Këto veprime nuk janë vetëm fyese për pjekurinë politike të shqiptarëve, ato janë një sulm i drejtpërdrejtë ndaj pozitës së tij si kryeministër. Ai tashmë e ka humbur kredibilitetin për të qenë një zgjidhje afatgjate në një shtet multietnik”, - thonë mes tjerash nga BDI.
