Putin: Shpresoj të mos ketë nevojë për armë bërthamore

04.05.2025 18:41

Presidenti rus, Vladimir Putin...

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka deklaruar se nuk ka pasur nevojë për përdorimin e armëve bërthamore në Ukrainë dhe shpreson që të mos ketë nevojë për diçka të tillë.

Në një pjesë të shkëputur të intervistës me televizionin rus, Putin tha se Rusia ka fuqinë dhe mjetet për ta çuar konfliktin në Ukrainë në një “përfundim logjik”.

Duke u përgjigjur në pyetjen lidhur me sulmet ukrainase në territorin rus, Putin tha se: “Nuk ka pasur nevojë për përdorimin e këtyre armëve”. “Ne kemi mjaftueshëm fuqi dhe mjete për të sjellë, atë që nisi më 2022, në një përfundim logjik, me rezultatin që Rusia kërkon”, tha presidenti rus.

Kjo dekalratë e Putinit vjen pasi presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, refuzoi propozimin e Moskës për një armëpushim 72-orësh javën e ardhëshme, kur Rusia shënon Ditën e Fitores në Luftën e Dytë Botërore.

Në nëntor të vitit të kaluar, Putin nënshkroi versionin e rishikuar të doktrinës bërthamore të Rusisë, ku përcaktohen rrethanat që i lejojnë atij të përdorë arsenalin bërthamor të Moskës.

Ky version i përditësuar i doktrinës, uli kriteret, duke i dhënë atij mundësinë që të përdorë armët bërthamore edhe si përgjigje ndaj një sulmi konvencional, të mbështetur nga një fuqi bërthamore.