Rajon
Dështimi i 11-të i konstituimit të Kuvendit, Kurti fton për koalicion LDK-në
05.05.2025 14:27
Edhe përpjekja e 11-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës dështoi...

Edhe përpjekja e 11-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës dështoi. Propozimi i kryesuesit të seancës, Avni Dehari, për votim të fshehtë nuk u miratua, pasi nuk u përkrah nga deputetët e PDK-së, LDK-së, AAK-së, Nismës dhe Listës Serbe. Kryesuesi e ndërpreu seancën, duke e caktuar vazhdimin e saj për të mërkurën. Ndërkohë kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kryeministër në detyrë, Albin Kurti, i ka dërguar një letër kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, në të cilën e fton LDK-në për koalicion qeverisës.
“Po ju drejtohem me këtë letër meqë nuk u takuam ende. Deputetë të LDK-së së fundmi kanë deklaruar publikisht se për të ecur përpara në legjislaturën e nëntë, fillimisht me konstituimin e Kuvendit, nevojitet marrëveshje politike. Si kryetar i LVV-së dhe kryeministër në detyrë i Republikës së Kosovës, jam i interesuar dhe i vullnetshëm për marrëveshje politike me LDK-në.”, thuhet në letrën e Kurtit.
Ai njëherit thekson se edhe pse kanë dallime në bindje politike e në politikat qeverisëse, por koalicionet, thotë ai, bëhen pikërisht ndërmjet atyre që kanë dallime, duke vendosur të drejtat dhe nevojat e shtetit dhe të qytetarëve si prioritet.
"Mosmarrëveshjet e diferencat që mund të ketë LDK-ja me LVV-në, sot nuk janë më të mëdha sesa që LDK-ja i kishte para koalicioneve të mëhershme kur i bëri ato. Plus, në vitin 2020, ne bashkë kemi qenë kolegë në Kurti 1, kur unë nuk kam pasur probleme me juve, por me disa të tjerë që nuk kanë më pozita të larta e as ndikim të madh në LDK si asokohe.", ka thënë pos tjerash Kurti.
Abdixhiku: Do ta shqyrtojmë letrën e Kurtit
Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka konfirmuar pranimin e letrës, por ka thënë se do t’i përgjigjet zyrtarisht.
“Më lejoni të shkoj në zyrë, ta shoh letrën. Do të kthej përgjigje me kohë. Do të lus edhe njerëzit tanë që të mos e trajtojnë me arrogancë. Do të kemi përgjigje zyrtare, si i takon një partie.”, - deklaroi kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Gashi: Situata politike duhet çtensionuar
Deputeti i LDK-së, Arben Gashi, është i mendimit se Abdixhiku duhet të takohet me Kurtin, pasi, siç thotë, situata politike duhet të çtensionohet.
“Partitë politike në Kosovë duhet ta ç’tensionojnë situatën. Edhe refuzimin duhet ta bëjnë në tavolinë, edhe të gjitha.”, - theksoi Arben Gashi nga LDK.
Kjo është ftesa e tretë që Kurti i bën Abdixhikut për takim, por dy ftesat paraprake janë refuzuar nga kreu i LDK-së.
GYLTENE SINANI
