Ekonomi

Ekonomi, Mickoski paralajmëron investime të huaja

05.05.2025 14:48

Udhëheqësit më të lartë shtetërorë kanë deklaruar se vendin tonë, gjatë disa ditëve në vazhdim...

Udhëheqësit më të lartë shtetërorë kanë deklaruar se vendin tonë, gjatë disa ditëve në vazhdim, e presin lajme të mira, për sa u përket investimeve të huaja. Kryeministri i vendit, Hristijan Mickoski, nga Shtipi bëri të ditur sjelljen e tre investimeve të huaja. 
 
“Po, ne njoftuam një investim të ri, që do të zhvillohet brenda 10 deri në 12 ditësh nga sot, disa dhjetëra milionë euro dhe më shumë se 200 të punësuar. Bëhet fjalë për prodhimin e pajisjeve të bardha, që do të jetë tërësisht i destinuar për eksport dhe do të kontribuojë ndjeshëm në produktin e brendshëm bruto. Dhe në të njëjtën kohë, dua t'i informoj banorët e Shtipit dhe njerëzit nga zona përreth Shtipit se po punojmë në dy dhe po zgjerojmë një, apo më mirë thënë tre investime në zonën këtu në Shtip, ku numri i përgjithshëm i punësimeve në këto tre investime të huaja do të jetë diku rreth 1.000 vende të reja pune.”, - deklaroi kryeministri, Hristijan Mickoski.
 
VLEN-i synon investitorët japonezë
 
Edhe nga koalicioni VLEN, përmes një komunikate janë shprehur se synim thelbësor i kësaj Qeverie dhe i koalicionit VLEN do të jetë orientimi i investimeve të huaja drejt vendit tonë.
 
“Përfaqësuesi i subjektit VLEN, në cilësinë e ministrit të Çështjeve Evropiane, Orhan Murtezani, ditëve të fundit ka qëndruar në Japoni për të zhvilluar takime të frytshme me përfaqësuesit e Agjencisë Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar (JICA) dhe personalitete të rëndësishëm dhe biznesmen të rëndësishëm në Japoni. Bashkëpunimi me JICA-n ka një histori. Deri më sot, Japonia ka investuar mbi 421 milionë dollarë në projekte kyçe për zhvillimin e Maqedonisë së Veriut.”, thuhet në komunikatën e VLEN-it. 
 
Veçojnë rëndësinë e hapjes së një zyre të JICA-s në Maqedoninë e Veriut, një nismë që do të intensifikojë koordinimin, do të përforcojë bashkëpunimin institucional dhe do të lehtësojë implementimin e projekteve të reja në terren.
 
Koçoska në Samitin e 28-të Ekonomik Euroaziatik
 
Nga ana tjetër, ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska Koçoska, do të realizojë vizitë pune treditore në Republikën e Turqisë, ku do të takohet me përfaqësuesit e Qeverisë turke, me ç’rast do të marrë pjesë edhe në Samitin e 28-të Ekonomik Euroaziatik. Gjatë vizitës, ministrja Dimitrieska Koçoska do të zhvillojë takime me ministrin e Thesarit dhe Financave, Mehmet Shimsek, dhe ministrin e Tregtisë, Omer Bollat. Nga Ministria e Financave po ashtu njoftuan se ministrja Koçovska do t”i shpalosë edhe përparësitë që vendi ynë i ofron për investimet e huaja. 
 
FITIM KRYEZIU