Tragjedia në Koçan, Mickoski: Vazhdon kujdesi për të lënduarit
05.05.2025 15:08
Kryeministri Hristijan Mickoski do t’i vizitojë...

Kryeministri Hristijan Mickoski do t’i vizitojë dhe do të bisedojë me gjithë familjarët e viktimave dhe të lënduarve, të cilët u përfshinë në zjarrin që kaploi “Puls” në Koçan. Thotë se ekzekutivi në kontinuitet është duke e ndjekur situatën me të lënduarit dhe po bënë çmos që t’ua zgjidhë problemet e tyre. Një nga ato ka qenë edhe telefonata e Mickoskit drejtuar presidentit të Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, i cili ka kërkuar që të tejkalohen mosmarrëveshjet e krijuara në aeroportin e Stambollit dhe pacientët të kthehen nga kurimi në Turqi.
“Unë do të bëj gjithçka që mundem dhe do të bisedoj personalisht me prindërit e të lënduarve dhe të atyre që tragjikisht kanë humbur më të dashurit e tyre. E gjithë Maqedonia ende vuan, por kjo nuk do të jetë vuajtje që do të ndalojë, por duhet të përballemi dhe të zgjidhim çështjet, sepse ato vetvetiu nuk do të zgjidhen. Jam i vetëdijshëm se do të ketë edhe struktura të atilla politike që do të tentojnë të përfitojmë pikë politike në mënyrë grabitqare, por edhe këto janë pjesë e jetës sonë. Me rëndësi është që të jemi të durueshëm dhe t’i zgjidhim problemet.”, - deklaroi kryeministri, Hristijan Mickoski.
Mickoski hedh poshtë akuzat politike
Sa i përket akuzave të opozitës se për këtë rast po zhvillohet hetim selektiv, Mickoski hedh poshtë pretendimet, duke thënë se hetimi po udhëhiqet nga PThP-ja dhe se ai nuk ka komunikuar me ndonjë prokuror, që hipotetikisht të bëjë presion mbi ta.
“Do t'ju duhet t'ia drejtoni këtë pyetje Prokurorisë, sepse Prokuroria po e udhëheq hetimin, e jo Qeveria, jo unë. Ne, përmes Ministrisë së Brendshme, vepruam në bazë të një kërkese nga Zyra e Prokurorit Publik. Ajo që Prokuroria e ka si kërkesë drejtuar MPB-së është plotësuar në këtë moment. Unë nuk do të ndërhyj në hetim, e as nuk kam telefonuar dikë dhe as nuk kam komunikuar me dikë nga Prokuroria, që të mos rezultojë se kryeministri po bënë presion në hetim. Jam informuar nga Ministria e Brendshme për shumë aktivitete në vazhdim, ky është prioriteti i parë. Nuk do të përfshihesha në retorikë politike apo komentet e këtyre grabitqarëve politikë, të cilët tentojnë të mbrojnë sjelljen kriminale të disa zyrtarëve të mëparshëm në ministri të caktuara. Prokuroria është ajo, pastaj gjykatat, kur do të ketë aktakuzë. Ata janë ata që duhet të kenë fjalën e fundit dhe u bëjë thirrje të gjithë aktorëve politikë që t'i lënë gjyqtarët dhe prokurorët të bëjnë punën e tyre.”, - theksoi kryeministri, Hristijan Mickoski.
Institucionet, tha Mickoski, do të vazhdojnë me mbështetjen dhe përkrahjen parezervë ndaj familjarëve të të lënduarve në një afat të gjatë kohor. (Rexhep Qamili, TVM2)
