Maqedoni
Takimi Mickoski – Taravari, Mickoski: Të zgjedhë mes Qeverisë dhe të kaluarës
05.05.2025 15:23
Ndodhitë aktuale politike, temë kryesore në takimin mes kryeministrit Mickoski dhe kreut të ASh-së, Arben Taravari...

Ndodhitë aktuale politike, temë kryesore në takimin mes kryeministrit Mickoski dhe kreut të ASh-së, Arben Taravari. Shefi i ekzekutivit i oforon Taravarit dy mundësi: të vendosë për Qeverinë, që ka prioritet reformat apo për opsionin që sipas tij, me vite shkatërroi shtetin.
“Në përgjithësi, do të doja të dëgjoj se si mendon për zhvillimet e fundit që janë të njohura për publikun. Sipas meje, ka dy mundësi për të zgjedhur. Njëra është ajo që ofron kjo qeveri e reformave, ndryshimeve dhe rezultat për qytetarët, dhe mesazhi i dytë është opsioni që prej vitesh, do të thoja për më shumë se 2 dekada, kriminalizoi shtetin, shkatërroi institucionet dhe praktikisht gjunjëzoi shtetin dhe qytetarët e tij. Opsion të tretë nuk ka dhe do të doja të dëgjoj nga Taravari cili opsion është për atë, sepse unë nuk shoh opsion të tretë.”, - deklaroi kryeministri, Hristijan Mickoski.
Si njeri, Mickoski ka mendim pozitiv për Taravarin, por këtë nuk e thotë edhe në aspekt të imazhit politik për të. Kryeministri siguron se Qeveria është stabile dhe nuk do ta lusë Taravarin dosido të mbetet pjesë e ekzekutivit.
“Si person kam mendim pozitiv për Taravarin, por në politikë imazhi është diçka që e ke ose nuk e ke, këtu nuk ka variante fluide, ose e mban fjalën ose nuk e mban. Mendoj se në rastin e tij të paktën tre herë jam dëshmuar dhe e kam mbajtur fjalën dhe ka pasur momente që ndoshta edhe ka pasur dilema brenda kryesisë së partisë. Për këtë arsye, lojërat në prapaskenë janë lojëra që shihen dhe identifikohen lehtë... Gjatë jetës askënd s’e kam lutur dhe se kam mendjen dikë ta lus. Me apo pa z. Taravarin, Qeveria është stabile, e fuqishme dhe i mbetet atij dhe bashkëpartiakëve të tij që të vendosin.”, - theksoi kryeministri, Hristijan Mickoski.
Taravari: Nuk pres diçka të veçantë
Ndërkohë Taravari nuk pret ndonjë bisedë specifike, pasi që tashmë pozicioni i partisë së tij është i njohur.
“Kemi komunikim të vazhdueshëm, kështu që nuk pres diçka të veçantë. Ne i kemi thënë qëndrimet tona. Jemi parti autonome. I sjellim vendimet vetë, do t’i sqarojmë disa punë që mendojmë që mund se ai i ka të paqarta, definitivisht ASh-ja del me lista të veçanta për këshilltarë, kurse për kandidatë për kryetarë komunash me shumë gjasa do t’i ketë kandidatët e vetë.”, - u shpreh kryetari i ASh-së, Arben Taravari.
Përçarja e koalicionit VLEN si pjesë e Qeverisë rezultoi me shkëputjen e ASh-së së Taravarit nga kjo përbërje, veprim të cilin Lëvizja Besa, Alternativa dhe Lëvizja Demokratike e quajtën vetëpërjashtim të ASh-së nga koalicioni që u formua në zgjedhjet parlamentare të vitit të kaluar.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
