Kaosi në trafik, aksidente të shpeshta me pasoja të frikshme
Nuk ka të ndalur vozitja e shpejtë e automjeteve...

Nuk ka të ndalur vozitja e shpejtë e automjeteve dhe tërbimi i tyre nëpër rrugët e vendit tonë. Edhe përkundër kontrolleve të përforcuara policore në të gjithë vendin, gjatë 24 orëve të fundit MPB-ja ka pasur duar përplot me punë, duke i kapur të gjithë ata që vozisin shpejt.
Në Tetovë janë privuar nga liria katër persona, pikërisht se kanë drejtuar automjetin e tyre edhe dy herë më shumë se sa shpejtësia e lejuar. Gjatë kontrolleve policore në rajonin e Pollogut, SPB-Tetovë ka sanksionuar rreth 130 drejtues mjetesh.
“Më datë 04.05.2025, nga ora 14.00 deri në ora 20.00, zyrtarë policorë nga Stacioni Policor për Siguri në Komunikacionin Rrugor Tetovë dhe Njësisë së Policisë për Siguri në Komunikacionin Rrugor Gostivar, kanë kryer kontroll aksion për tejkalim të shpejtësisë maksimale të lejuar brenda dhe jashtë vendbanimit. Gjatë aksionit, me urdhër të Prokurorit Publik, katër persona janë privuar nga liria, për shkak të drejtimit të pakujdesshëm të automjetit.”, thuhet në komunikatën e SPB - Tetovë.
Ata, që policia mbrëmë i ka kapur në flagrancë dhe i gjobiti, ka gjasa që edhe të mbushën me mend të mos ngasin më kurrë veturat e tyre me shpejtësi të madhe, por ata drejtues të cilët u janë shmangur radarëve dhe kontrolleve të policisë me ngasjen e shpejtë të veturave të tyre, shpeshherë edhe aksidentohen.
Kështu ndodhi mbrëmë në rrugën “Kej Vëllazërim Bashkimi” në Gostivar, ku një automjet doli nga rruga dhe si rezultat i kësaj, drejtuesi është me lëndime të rënda.
“Më datë 04.05.2025 në ora 16:25 në Stacionin Policor të Gostivarit është raportuar se në rrugën "Kej Vëllazërim Bashkimi" në Gostivar, automjeti i pasagjerëve "Opel" me targa regjistrimi të Gostivarit i drejtuar nga 45-vjeçarja, M.A., nga Gostivari ka dalë nga rruga. Në aksident, lëndime të rënda ka pësuar M.A., që janë konstatuar në Spitalin e Përgjithshëm të Gostivarit. Inspektimi është kryer nga ekipi inspektues i SPB – Gostivar.”, thuhet në komunikatën e SPB - Gostivar.
Ndërkohë, përplasje të tre automjeteve sot në mëngjes kishte edhe në udhëkryqin e Bulevardit “Orce Nikollov” me “Ruzvelltova” në Shkup. Nga MPB-ja thonë se kontrollet e përforcuara policore do të vazhdojnë edhe më tej në të gjithë vendin tonë dhe shpresojnë se me vënien e plotë të projektit “Safe City” dhe kamerave të sigurisë do të parandalohen shkeljet e rregullave në komunikacion. (Rexhep Qamili, TVM2)
