Aprovohet plani, Izraeli synon ta sundojë tërë Rripin e Gazës

05.05.2025 18:04

Izraeli e ka aprovuar një plan për ta uzurpuar tërë Rripin e Gazës...

Izraeli e ka aprovuar një plan për ta uzurpuar tërë Rripin e Gazës dhe për të qëndruar në territorin palestinez për një kohë të papërcaktuar, sipas dy zyrtarëve izraelitë.

Ky plan, nëse zbatohet, do t’i zgjerojë jashtëzakonisht shumë operacionet e Izraelit në Gazë dhe me shumë gjasë do të përballet me kundërshtime të ashpra ndërkombëtare.

“Ministrat e kabinetit izraelit e miratuan planin në orët e hershme të mëngjesit, disa orë pasi shefi i ushtrisë izraelite tha se ushtria po i thërriste dhjetëra mijëra ushtarë rezervistë.”, njofton Radio Evropa e Lirë.

Zyrtarët thanë se me këtë Izraeli synon t’i arrijë synimet e luftës për ta mposhtur Hamasin, grupin e shpallur terrorist nga ShBA-ja dhe BE-ja dhe për t’i liruar pengjet që mbahen në Gazë.

Plani gjithashtu parashikon që qindra mijëra palestinezë të zhvendosen në jug të Gazës, gjë që nënkupton se me gjasë ata do të zhvendosen me forcë dhe se kriza e rëndë humanitare veçse do të përkeqësohet.