Takimi Mickoski-Taravari pa epilog, bisedimet vazhdojnë
Takimi ndërmjet kryeministrit Hristijan Mickoski...

Takimi ndërmjet kryeministrit Hristijan Mickoski dhe liderit të krahut të Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, përfundoi pa epilog. Burime nga Qeveria thanë se takimi është zhvilluar në një atmosferë konstruktive dhe se bisedimet ndërmjet dy palëve do të vazhdojnë edhe në periudhën në vijim, deri në fund të muajit maj do të bëhet e qartë pozita përfundimtare e Taravarit në koalicionin qeveritar.
Kryeministri Hristijan Mickoski, në takim i ka konfirmuar qëndrimet që i ka shprehur publikisht e të cilat i përsëriti sot para takimit me Taravarin.
Mickoski deklaroi se ky i fundit ka dy opsione të vendos për Qeverinë, që ka prioritet reformat apo për opsionin që, sipas tij, me vite shkatërroi shtetin.
“Sipas meje, ka dy mundësi për të zgjedhur. Njëra është ajo që ofron kjo qeveri e reformave, ndryshimeve dhe rezultat për qytetarët, dhe, mesazhi i dytë është opsioni që prej vitesh, do të thoja për më shumë se 2 dekada, kriminalizoi shtetin, shkatërroi institucionet dhe praktikisht gjunjëzoi shtetin dhe qytetarët e tij. Opsion të tretë nuk ka dhe do doja të dëgjoja nga Taravari cili opsion është për atë, sepse unë nuk shoh opsion të tretë”. – tha Kryeministri i vendit, Hristijan Mickoski.
Si njeri, Micksoki ka mendim pozitiv për Taravarin por këtë nuk e thotë edhe në aspekt të imazhit politik për të. Kryeministri siguron se qeveria është stabile dhe nuk do ta lus Taravarin dosido të mbetet pjesë e ekzekutivit.
“Si person kam mendim pozitiv për Taravarin, por në politikë imazhi është diçka që e ke ose nuk e ke, këtu nuk ka variante fluide, ose e mban fjalën ose nuk e mban. Mendoj se në rastin e tij të paktën tre herë jam dëshmuar dhe e kam mbajtur fjalën dhe ka pasur momente që ndoshta edhe ka pasur dilema brenda kryesisë së partisë. Për këtë arsye lojërat në prapaskenë janë lojëra që shihen dhe identifikohen lehtë. Gjatë jetës askënd s’e kam lutur dhe se kam mendjen dikënd ta lus, me apo pa z. Taravarin, Qeveria është stabile, e fuqishme dhe i mbetet atij dhe bashkëpartiakëve të tij që të vendosin.” – u shpreh Kryeministri, Hristijan Mickoski.
Pozita e ASH-së në Qeveri qartësohet deri në fund të muajit
Taravari para takimit tha se nuk pret ndonjë bisedë specifike pasi që tashmë pozicioni i partisë së tij është i njour.
“Kemi komunikim të vazhdueshëm, kështu që nuk pres diçka të veçantë. Ne i kemi thënë qëndrimet tona. Jemi parti autonome. I sjellim vendimet vetë, do t’i sqarojmë disa punë që mendojmë që mund se ai i ka të paqarta, definitivisht ASH-ja del me lista të veçanta për këshilltarë, kurse për kandidatë për kryetarë komunash me shumë gjasa do t’i ketë kandidatët e vetë.” – deklaroi Kryetari i ASH-sw, Arben Taravari.
Takimi Mickoski-Taravari erdhi si rezultat i vendimit të Aleancës për Shqiptarët që në zgjedhjet lokale në tetor të dalë me lista të veta për këshilltarë. Ky vendim nuk u pranua nga partnerët e tij të koalicionit VLEN.
Pas kësaj, pasoi largimi i Taravarit nga koalicioni VLEN, ndërsa në opinion qarkullonin informacione se ai është në bisedime me liderin e Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti.
Ahmeti, para tre ditësh, tha se e vlerëson vendimin e Taravarit për t’u distancuar nga koalicioni VLEN dhe se një bashkëpunim me ASH-në e Taravarit do të ishte i mundshëm vetëm nëse dalin nga Qeveria.
Se a do të dal Taravari nga Qeveria do të dihet deri në fund të muajit. (Armend Murseli, TVM2)
