Shëndet

Si të mbrohemi nga plakja e lëkurës?

12.05.2015 16:38

Stina e verës sjell me vete probleme të ndryshme të lëkurës...

Ekspozimi në diell dhe mos marrja e masave mbrojtëse bën të mundur plakjen e lëkurës. Është e këshillueshme që kujdes të veçantë të tregojnë personat me lëkurë të bardhë.
 
Dr. Dermatologe, Blerta Gjoni thekson se nëse jeni mbi 40 vjeç, nese keni lëkurë ngjyrë të hapur, keni djegie nga dielli apo punoni në ambiente të hapura duhet të konsultoheni për produktet mbrojtëse ndaj diellit në këtë periudhë dhe jo kur të filllojë sezoni veror.
 
Plakja e lëkurës është më e shprehur në fytyrë dhe qafë dhe mund të ndodhë që në mosha shumë të reja në ata njerëz që rrinë shumë kohë jashtë.
 
A vihen re ndryshime të lëkurës nga dielli? Me kalimin e viteve, pamja dhe karakteristikat e lëkurës ndryshojnë. Plakja e lëkurës përshpejtohet në ato zona të lëkurës të ekspozuara nga dielli një proces ky i njohur si plakje nga dielli (photoageing).
 
Photoageing ndodh si shkak i dëmtimit të lëkurës nga valët e shkurtra UVB në pjesën e jashtme të lëkurës, nga valët më të gjata UVA në pjesën e dermës dhe nga rrezatimet infra-red në shtresën më të thellë të lëkurës. Dëmtimi i qelizave ndodh si rezultat i formimit të lidhjeve me oksigjenin.
 
Plakja e lëkurës është më e shprehur në fytyrë dhe qafë dhe mund të ndodhë që në mosha shumë të reja në ata njerëz që rrinë shumë kohë jashtë, sidomos ata me fytyrë të bardhë.
 
Cilët janë faktorët e jashtëm që ndikojnë në plakjen e lëkurës? Dëmtimet nga dielli çojnë në shfaqjen e rrudhave të vogla,  hiperpigmentim dhe ndryshime në elasticitetin e lëkurës.
 
Shtresa e sipërme e lëkurës apo epiderma hollohet dhe lëkura çahet dhe ashpërsohet më lehtësisht. Lëkura ndihet e  thatë për shkak se ajo është më pak e aftë për të mbajtur ujin.
 
Dëmtimi i proteinës elastine në pjesën e brendshme të lëkurës (dermes) çon në formimin e heliozave (si gunga të verdha të trashura në lëkurë). Derma e humb elasticitetin dhe është më e dobët se normalisht.
 
Në lëkurat e ekspozuara shumë në diell ka një hiperaktivitet të melanociteve që çojnë në rritje të pigmentimit të lëkurës dhe çojnë në formimin e njollave ngjyrë kafe, lentigo dhe formimin e njollave të bardha. Gjithashtu vihen re edhe raste të zmadhimit të enëve të vogla të gjakut në fytyrë ( telangiektazis).
 
Plakja e lëkurës është gjithashtu shumë e prirur për të zhvilluar lezione të padëmshme kafe (keratoze seborroike). Rrezatimi Ultraviolet  në prani të rrezeve të diellit çon  në  oksidim, jonizim dhe ndryshime gjenetike në komponentët qelizorë, përfshirë dhe ADN.
 
Ajo gjithashtu ka efekte të thella në sistemin imunitar të lëkurës. Kjo do të thotë që  lëkurat e plakura  janë të prirura për  të formuar kancer të lëkurës .
 
Ekzaminimi i  problemeve që krijohen në fytyrë dhe përcaktimi i fototipit të lëkurës, duhet të kryhet vetëm nga mjeku specialist dermatolog? Këshillohet të kontrollohet rregullisht lëkura për lezione të ndryshme të lëkurës.
 
Në qoftë se jeni mbi 40 vjeç, nese keni lëkurë ngjyrë të hapur, keni djegie nga dielli  dhe në qoftë se ju punoni  në ambiente të hapura duhet të konsultoheni për produktet mbrojtëse ndaj diellit në këtë periudhë dhe jo kur të filllojë sezoni veror.
 
Konsultoni mjekun tuaj dermatolog nëse keni rritje të ndonjë formacioni në lëkurë, plagë që nuk shërohet, njolla të reja ose vetëm për dyshime pasi dermatoskopia është ekzaminimi më rezultativ që përdroim për diagnostikim dhe diferencim të sëmundjeve të lëkurës.
 
Përdorimi i kremrave me faktor të lartë mbrojtës, sidomos në periudhën e verës dhe në rastet kur punoni në ambiente të hapura me orë të tëra është i detyrueshëm dhe i rekomandueshëm pas vizitës dermatologjike me skin analizer.