Maqedoni
Drejtoria për Siguri nga Rrezatimi, në vitin 2024 ka realizuar mbi 150 kontrolle
06.05.2025 13:49
Drejtoria për Siguri nga Rrezatimi është duke festuar 20-vjetorin nga themelimi i saj...

Drejtoria për Siguri nga Rrezatimi është duke festuar 20-vjetorin nga themelimi i saj, drejtori, kjo, e cila nuk është shumë e njohur e që ka një rol të rëndësishëm në mbrojtjen nga rrezatimet dhe protokollet që duhet respektuar gjatë incizimeve me mjetet që kanë rrezatime. Drejtori i saj, Zoran Bajovski, tha se kjo drejtori gjatë vitit të kaluar dhe këtij viti ka qenë në krye të detyrës.
“Gjatë vitit 2024 janë dhënë gjithsej 237 licenca për punë për ordinanca stomatologjike, radioterapi, diagnostikë me rreze X, mjekësi bërthamore, prodhimi i radiofarmaceutikëve, si dhe për radiografi industriale. Gjatë vitit të kaluar, drejtoria ka realizuar 151 kontrolle të rregullta inspektuese, 22 të jashtëzakonshme dhe 51 kontrolle të tjera mbi licencat e dhëna. Tek 61 persona juridikë është konstatuar parregullsi dhe ndaj tyre po veprohet në përputhje me kornizën ligjore.”, - deklaroi drejtori i Drejtorisë për Siguri nga Rrezatimi, Zoran Bajovski.
Një pjesë e parregullsive kanë të bëjnë me rrezatimet jonizuese, respektivisht me zëvendësimin e paparalajmëruar të personave të cilët punojnë me pajisjet të cilat kanë rrezatime të ndryshme. Në këto raste, inspektorët fillimisht shqiptojnë masa për korrigjimin e parregullsive, ndërsa nëse ato nuk korrigjohen në afatin e parashikuar, atëherë shqiptohet masa për mbyllje të përkohshme apo të përhershme të këtyre subjekteve. Deri më tani, tha Bajovski, është mbyllur vetëm një ordinancë stomatologjike, e cila ka refuzuar të korrigjojë lëshimin. Por, edhe kjo drejtori si shumë të tjera, ka mungesë të kuadrit profesional.
“Ka shumë pak të punësuar, jemi gjithsej 11 të punësuar. Administrata e drejtorisë nuk ka nevojë të jetë e madhe, por i nevojitet staf i duhur në fushën e fizikës mjekësore dhe fizikës, mirëpo kemi problem serioz me gjetjen e fizikanëve, të cilët duhet të punojnë në drejtorinë tonë, sepse shumë pak po prodhohen në procesin arsimor në RMV dhe kjo nuk është nën kompetencat tona.”, - deklaroi drejtori i Drejtorisë për Siguri nga Rrezatimi, Zoran Bajovski.
Drejtoria për Siguri nga Rrezatimi këtë vit është duke punuar në digjitalizimin e tërësishëm të shërbimeve, përmes së cilës në të ardhmen dorëzimi i dokumentacionit dhe dhënia e licencave do të jetë përmes formës elektronike dhe njëherit do të bëhet një regjistër i veçantë për numrin e të punësuarve mjekësorë, të cilët punojnë me mjetet me rrezatime.
REXHEP QAMILI
