Rajon
Zgjedhjet e 11 majit në Shqipëri, KShZ: Nuk arrijnë votat nga diaspora
06.05.2025 14:28
Për të dytën ditë radhazi, në KShZ nuk erdhi asnjë votë nga diaspora....

Për të dytën ditë radhazi, në KShZ nuk erdhi asnjë votë nga diaspora. Komisionari, Ilirjan Celibashi, e shpjegon këtë në pushimet e fundjavës.
“Të shtunën e të dielën postat kryesisht nuk punojnë, ndaj të hënën dhe të martën nuk kanë. U grumbulluan vetëm 4 vota.”, - theksoi komisionari shtetëror i zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi.
80 mijë votues, që tashmë e kanë në dorë pakon zgjedhore, nuk e kanë kthyer ende. Ndërkohë në Greqi vijon një situatë shqetësuese, me 45 mijë fletë votimi që pritet të kthehen, pa ditur nëse janë marrë nga votuesit apo jo.
“Kontaktoni me DHL-në, që të kuptoni se ku është zarfi juaj. Do ta shohim të dielën se sa do të jetë numri i votave nga Greqia.”, - u shpreh komisionari shtetëror i zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi.
Celibashi nuk pranon që vota e diasporës të ketë aq probleme sa po artikulohen nga partitë apo media.
“Procesi nuk është perfekt, por shumë i mirë. Integriteti i tij nuk mund të vihet në diskutim.”, - theksoi komisionari shtetëror i zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi.
Ndërkohë partitë politike e vijojnë vrullshëm fushatën në këto ditë të fundit. Gjatë këtyre ditëve nuk kanë munguar as incidentet. 115 kallëzime janë dorëzuar në SPAK në lidhje me krimet zgjedhore, për 35 prej të cilave ka nisur hetimi.
LULJETA NDOKA
