Trazira në koalicionin qeveritar, reagon Mexhiti pas takimit Mickoski – Taravari

06.05.2025 15:30

Koalicioni VLEN, tanimë në disa raste është shprehur...

Koalicioni VLEN, tanimë në disa raste është shprehur se nuk e dëshiron Aleancën për Shqiptarët të udhëhequr nga Arben Taravari të jetë pjesë e Qeverisë, përderisa Taravari bashkëpunon ngushtë me BDI-në dhe realizon takime me liderin e BDI-së, Ali Ahmeti.

Një nga liderët e koalicionit VLEN, Izet Mexhiti, i ka bërë me dije kryeministrit Mickoski se me Arben Taravarin nuk ka më hapësirë për t’u ulur dhe për të biseduar, sepse sipas Mexhitit, lideri i ASh-së, Arben Taravari, ka shkelur fjalën e dhënë dhe fjala dhe besa shqiptare, sipas Mexhitit, është një nga shtyllat kryesore të kodit të nderit ndër shqiptarë.

“Fjala e dhënë — besa — është një nga shtyllat kryesore të kodit të nderit ndër shqiptarë. Besa është  besimi, ndershmëria dhe përgjegjësia ndaj fjalës së dhënë. Një njeri që jep besën, është lidhur moralisht dhe shpirtërisht për ta mbajtur atë premtim, edhe nëse kjo do t’i kushtojë shumë. Kur shkelet fjala e dhënë, është thyer buka. E buka që thyhet nuk ngjitet. As me takime të njëpasnjëshme, as me afate njëmujore. Sepse besa nuk është thjesht një zotim; ajo është një garanci nderi, që në histori ka qenë më e fuqishme se çdo dokument ligjor.”, - tha mes tjerash Mexhiti në statusin e tij në rrjetet sociale.

“Ne d.m.th. nuk e paragjykojmë qëndrimin e kryeministrit, por si koalicion VLEN do të insistojmë deri në fund që çdokush që bashkëpunon me BDI-në, në këto rrethana kur BDI është në lista të zeza, kur BDI është parti që duhet të japë llogari për korrupsionin e funksionarëve të lartë të saj, nuk mund të jetë e pranueshme. Sonte kemi një takim me kryeministrin, ku besojmë t’i sqarojmë edhe këto situata. Por, do të bashkëbisedojmë rreth koalicionit qeveritar dhe rreth asaj që e kemi thënë se ne si koalicion kemi pasur një marrëveshje për themelim të Qeverisë me VMRO-DPMNE-në dhe sigurisht në kuadër të asaj marrëveshjeje do ta shqyrtojmë edhe njëherë pozicionin tonë si koalicion VLEN në raport me kryeministrin dhe Qeverinë.”, - theksoi  Bilall Kasami nga VLEN.

Ndërsa nga Fronti Evropian janë të mendimit se pjesëmarrja e koalicionit VLEN në Qeveri, është e turpshme dhe nënçmuese, prandaj zgjidhja sipas tyre është që në vend të mbahen menjëherë zgjedhje të parakohshme parlamentare.

“Ata kanë vendosur koalicion mes mjeshtrit dhe nxënësit, ashtu është krijuar një përshtypje, sepse vet ata e dinë, dhe vet Taravari e ka potencuar se 70 për qind e votuesve nuk kanë besim tek koalicioni VLEN, dhe se vet Taravari nuk është i respektuar në mesin e liderëve të këtij koalicioni, dhe sipas meje pas kësaj, RMV-ja do të shkojë drejt një krize politike.”, - deklaroi Sali Murati nga Fronti Evropian.

Pas takimit me Taravarin, kryeministri Mickoski theksoi se do të takohen edhe njëherë me liderin e ASh-së për një muaj.

“Takimi ka përfunduar në frymën konstruktive dhe është vendosur që bisedimet të vazhdojnë, dhe gjatë këtij muaji do të dihet edhe fati se si do të funksionojë ASh-ja e Arben Taravarit. Kryetari ynë, Mickoski, në takim i ka theksuar qëndrimet që tanimë në disa raste i ka bërë publike.”, - theksoi Valentin Manasievski nga VMRO-DPMNE.

Ndërsa Taravari ka theksuar se për të gjitha këto zhvillime, do të bisedoj edhe me udhëheqësin më të lartë të partisë.

Nga Fronti Evropian ka ripërsëritur qëndrimin e tyre se në zgjedhjet lokale do të dalin me lista të përbashkëta, si për kandidatët për listat e këshilltarëve komunalë, ashtu edhe për kandidatët për kryetar të komunës.

Ndërsa një gjë të tillë e kanë theksuar edhe nga koalicioni VLEN, të cilët theksuan se ato të cilët deshën të largohen nga listat e përbashkëta, u larguan. (Fitim Kryeziu, TVM2)