Maqedoni
Maqedonia e Veriut merr kryesimin e EUSAIR-it, Murtezani: Do të ndërtojmë jo vetëm rrugë, por edhe ura mirëkuptimi
06.05.2025 15:46
Murtezani theksoi se kalimi i presidencës te RMV është një hap i natyrshëm...

Ky është një moment historik për Maqedoninë e Veriut, kështu e përshkroi ministri për Çështje Evropiane, Orhan Murtezani, marrjen për herë të parë të kryesimit të Strategjisë së BE-së për Rajonin Adriatiko-Jonian (EUSAIR), gjatë ceremonisë zyrtare të dorëzim–pranimit të presidencës në Selanik. Murtezani theksoi se kalimi i presidencës te Maqedonia e Veriut është një hap i natyrshëm dhe i merituar që vjen pas pesë vitesh nga anëtarësimi në Strategji dhe shtatë vitesh nga përfshirja në Nismën Adriatiko-Joniane. Ai nënvizoi se marrja e presidencës nuk është thjesht një ceremoni formale, por vazhdim i përpjekjeve të përbashkëta për një të ardhme evropiane, të ndërtuar mbi vlera dhe bashkëpunim rajonal.
“Sot, teksa përgatitemi të marrim kryesimin e Strategjisë së BE-së për Rajonin Adriatiko-Jonian, e bëjmë këtë me një qëllim të qartë dhe ndjenjë të thellë përgjegjësie. Koordinimi ynë në Shtyllën 2, “Ndërlidhja e rajonit”, është shumë më tepër sesa çështje mobiliteti, është thelbësore për lidhjen e komuniteteve tona, ekonomive tona dhe të ardhmes sonë të përbashkët. Po përgatisim iniciativa të synuara për modernizimin e infrastrukturës ndërkufitare, jo vetëm për të lehtësuar lëvizjen e mallrave dhe shërbimeve, por edhe për të forcuar lidhjen mes njerëzve dhe institucioneve.”, - deklaroi ministri për Çështje Evropiane, Orhan Murtezani.
Sipas Murtezanit, Maqedonia e Veriut, si vend koordinues do të angazhohet për forcimin e lidhjeve infrastrukturore, digjitale dhe sociale ndërmjet vendeve të Rajonit Adriatiko-Jonian.
“Do të ndërtojmë jo vetëm rrugë, por edhe ura mirëkuptimi dhe solidariteti. Në qendër të angazhimit do të jenë zhvillimi i qëndrueshëm, inovacioni dhe ekonomia blu, duke vazhduar drejtimet strategjike të vendosura nga presidenca greke.”, - u shpreh ministri për Çështje Evropiane, Orhan Murtezani.
Kryesimi i Maqedonisë së Veriut me EUSAIR dhe Nismën Adriatiko-Joniane do të fillojë më 1 qershor 2025 dhe do të zgjasë për një vit.
ARMEND MURSELI
