Rusia dhe Ukraina i vazhdojnë sulmet me dronë
Derisa Moska dhe Kievi përgatiten për festimet e Ditës së Fitores...

Derisa Moska dhe Kievi përgatiten për festimet e Ditës së Fitores, nuk ka shenja të ndonjë qetësimi të situatës. Për të dytën natë radhazi, kryeqyteti rus dhe dhjetë rajone të tjera janë sulmuar nga dronët. Janë granatuar edhe pjesë të Ukrainës, sulme me dronë u regjistruan në Kharkiv, Kiev, Odesa, Donetsk, ka viktima dhe të plagosur.
"Nuk ka dorëzim, sepse shumë njerëz dhanë jetën për pavarësi. Dhe kur flasim për këto apo ato kompromise, duhet të dini se ukrainasit nuk do të bëjnë kurrë kompromis kur bëhet fjalë për pavarësinë e Ukrainës. Jam absolutisht i sigurt se në këtë luftë për pavarësi, Ukraina patjetër do të fitojë.", - deklaroi presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski.
Presidenti ukrainas po insiston për një armëpushim njëmujor, pavarësisht kërkesave të Putinit për një armëpushim treditor, që fillon më 8 maj. Sipas presidentit amerikan, ajo që u propozua nga shefi i Kremlinit është një arritje serioze.
"Presidenti Putin shpalli një armëpushim treditor, i cili nuk tingëllon shumë, por është shumë nëse e dini se nga filluam, sepse kishim një president që nuk foli me Putinin për tre vjet. Asgjë nga këto nuk duhej të kishte ndodhur. Kjo është një luftë që nuk duhet të ndodhte kurrë.", - theksoi presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Tramp.
Ndërsa Shtetet e Bashkuara kërkojnë të arrijnë një armëpushim me Rusinë, partnerët evropianë të Ukrainës po rritin mbështetjen e tyre. Republika Çeke ka premtuar të japë municion dhe të zgjerojë trajnimin për pilotët ukrainas.
"Prania e aleatëve evropianë, por ndoshta edhe të Amerikës së Veriut, në forma të ndryshme në negociata, është e rëndësishme, sepse ne nuk po flasim vetëm për paqen midis Rusisë dhe Ukrainës, po flasim për sigurinë në Evropë dhe Ukraina është pjesë përbërëse e sigurisë së Evropës.", - u shpreh presidenti i Republikës Çeke, Petër Pavel.
Aleatët perëndimorë po negociojnë dërgimin e sistemeve shtesë të mbrojtjes ajrore “Patriot” dhe marrëveshjet duhet të arrihen përpara Samitit të NATO-s në fund të qershorit, raportuan mediat botërore. (Fitore Demolli, TVM2)
