Shumica parlamentare nisi ndryshimet ligjore, Inspektorati për përdorimin e gjuhëve në rrezik

06.05.2025 18:48

Shumica parlamentare ka votuar për ndryshimet ligjore...

Shumica parlamentare ka votuar për ndryshimet ligjore që prekin Inspektoratin për Përdorimin e Gjuhëve, katër muaj pasi punonjësit e këtij institucioni kanë mbetur pa paga, sigurim shëndetësor dhe pensional.

Në dhjetor të vitit të kaluar, me ndryshimet në Ligjin për Mbikëqyrje Inspektuese, të gjitha inspektoratet humbën statusin e personit juridik.

Ky ndryshim ndikon veçanërisht në Inspektoratin për Përdorimin e Gjuhëve, i cili e kishte këtë status të garantuar me ligje të veçanta: Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve dhe Ligjin për Inspektoratin përkatës. Kjo ka krijuar paqartësi ligjore që kanë pamundësuar pagesën e rrogave.

“Bëhet fjalë vetëm për dy harmonizime me ndryshimet që u bënë vitin e kaluar në këtë fushë. Në nenin 26 në Ligjin për mbikëqyrje inspektuese në paragrafin d2, ky nen u fshi dhe inspektoratet e humbën statusin e personit juridik. Ata janë organe në kuadër të Ministrive, përfshirë edhe këtë inspektorat. Gjithashtu bëhet harmonizim me ligjin për organizimin dhe punën e organeve shtetërore, ndryshime që gjithashtu i bëmë vitin e kaluar” – tha deputeti nga Lëvizja “Znam”, Boban Karapejovski.

Megjithatë, kjo çështje nuk është përmbyllur plotësisht, pasi Ligji për Përdorimin e Gjuhëve ende e njeh inspektoratin si person juridik, dhe ky ligj është aktualisht në shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese.

BDI kundërshton fuqishëm ndryshimet dhe paralajmëron për pasojat politike e institucionale.

“Kjo situatë shkakton një shqetësim shumë të thellë veçanërisht te populli shqiptar pasi përpjekja për të hequr statusin e personit juridik dhe për ta nënshtruar politikisht mund të respektojë mbrojtjen e të drejtave gjuhësore dhe respektimin e Marrëveshjes së Ohrit. Kjo shumicë parlamentare po tenton ta shndërrojë inspektoratin në një mjet politik duke rrezikuar integritetin dhe pavarësinë e tij. Do të rezistojmë çdo përpjekje për shuarjen e këtij institucioni.” – deklaroi Deputetja e BDI-së, Arbana Pasholli.

Edhe deputeti Arbër Ademi ka reaguar në rrjetet sociale duke kritikuar qasjen e mazhorancës: “Institucioni është paralizuar, dhe kjo është pasqyra më e qartë e qasjes së kësaj qeverie ndaj gjuhës shqipe dhe themeleve të Marrëveshjes së Ohrit. Ne nuk do të lejojmë as heshtjen, as shuarjen e këtij institucioni. Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve do të mbrohet, sepse mbrojtja e tij është mbrojtje e barazisë gjuhësore, dinjitetit dhe të drejtave tona.”

Aktualisht, Inspektorati është jofunksional. Prej shtatorit, punonjësit janë pa rroga, zyrat janë reduktuar nga 6 në 3, ndërsa kërkesat për një automjet zyrtar vazhdojnë të injorohen. Verifikimet në terren janë realizuar me automjete personale dhe në kurriz të vetë inspektorëve. (Farije Dauti – Bakiu, TVM2)